LSDM-ja lavdërohet për rritjen e pagës minimale/ Mickoski: Dikur 1/4 e byrekut me jogurt ishte 50 den, tani është 120 den

TË FUNDIT

LSDM ka disa ditë që po lavdërohet se me politikat e tyre ekonomike, paga mesatare në vend arriti deri në 40.000 denarë, ndërsa paralajmërojnë se në mandatin e ri edhe paga minimale, edhe ajo mesatare do të rriten në mënyrë drastike.

“Me politikat ekonomike socialdemokrate të LSDM-së arritëm që paga mesatare në vend të ngrihet në nivelin më të lartë historikisht prej 40.000 denarë.”- deklaroi Sanella Shkrijel deputete e LSDM-së.
Por kështu nuk mendon kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski. Ai kujton edhe faktin tjetër, shtrenjtimin e jetesës.

“Gjithashtu është mirë që t’i rikujtojmë se 1/4 e byrekut me jogurt para disa viteve ka qenë 50 denarë, ndërsa tani është 120 denarë. Maqedonia është në maje të shteteve kur bëhet fjalë për krim dhe korrupsion. Sipas pagës dhe pensionit mesatar jemi të fundit.”- pohoi Hristijan Mickoski kryetar i VMRO-DPMNE.

E çfarë mendojnë qytetarët dhe tregtarët për çmimet e ushqimeve, pagën minimale dhe pensionet?!

“Qytetarët a po blejnë sikur më herët?
40%, si ka qenë 100% nuk vijnë tani.
Pse mendoni se nuk blejnë tani?
Po nuk kanë njerëzit, fukarallëk, me social.
Sa mendoni që duhet të jetë rroga minimale?
Së paku 500 euro, nën 500 euro nëse është rroga nuk ka shanse për jetesë.”

“Tek ne të gjitha çmimet janë shtrenjtë.
Sa mendoni që duhet të jetë paga minimale?
Ku ta di sa duhet të jetë, por në Ballkan më shtrenjtë i kemi ne të gjitha.”

“Punë nuk kemi, mall kemi shumë por të shkojë puna ashtu siç duhet nuk kemi, për arsye se buxheti është shumë shumë poshtë. Ka 2 vite që kemi ardhë në papunësi, buxheti është shumë i dobët, populli nuk ka pare, edhe po t’i ulim edhe po t’i ngremë çmimet, kur populli nuk ka pare, kot.”

“35 mijë, 2 rroga do të mbijetojë njeriu, por me një rrogë me 35-40 mijë denarë nuk mund të mbijetojë, për ditët e sotme po flasim, 80 denarë është kilogrami i kastravecëve, duhet të gjithë të hanë, për veshje nuk po flasim.”

Ndryshe shporta e konsumatorit është shtrenjtuar për 313 denarë në muajin shkurt. Sipas raportit të Lidhjes së Sindikatave për muajin e dytë të këtij viti vlera e shportës minimale është 57,476 denarë.