Lidhja Socialdemokrate me “ultimatum” për kryetarin e Kriva Pallankës, Sashko Mitovski, i cili vjen nga radhët e kësaj partie. Socialdemokratët e akuzojnë për bashkëpunim të ngushtë me kryeministrin Mickoski për hapjen e një miniere antimoni në territorin e komunës. Përveç kësaj, në njoftim paralajmëruan për pasoja të mundshme shëndetësore për popullsinë nëse hapet miniera. Nga LSDM kërkojnë që kryetari menjëherë të shpallë referendum.
LSDM:
“Qytetarët duhet t’i dëgjojë para së gjithash kryetari i komunës, e jo njeriu që e sheh shtetin si tender të tijin. Kryetar – referendum!”
Kryetari i komunës së Kriva Pallankës thotë se është për mbajtjen e referendumit në komunë, por konsideron se para kësaj, qytetarët duhet të informohen në mënyrë të detajuar për pyetjen e referendumit dhe çfarë saktësisht do të thotë një deklarim i tillë.
“Para se të organizohet referendumi, është e nevojshme të hapet në thelb vetë deklarimi në referendum, pra pyetja kyçe, dhe qytetarët të jenë plotësisht, në mënyrë transparente të informuar lidhur me teknologjinë, mënyrën e prodhimit dhe gjithçka që është e rëndësishme që të marrin vendim të drejtë. Konsideroj se deklarimi formal pro ose kundër mbajtjes së referendumit, nuk do të japë përgjigjen e vërtetë, pra përgjigjen e duhur të vetë deklarimit në referendum”, tha Sashko Mitovski, kryetar i komunës së Kriva Pallankës.
Përndryshe, ekzistojnë dy mënyra për organizimin e referendumit në nivel komunal. E para është nëse të paktën 20 për qind e votuesve në komunë kërkojnë një deklarim të tillë, pas së cilës Këshilli ka detyrim ta shpallë atë. Opsioni i dytë është propozimi nga minimum një këshilltar, për të cilin Këshilli duhet të votojë dhe nëse shumica e pranon, shpallet referendumi.
Në Kriva Pallankë, Këshilli ka 15 anëtarë, prej të cilëve 8 dhe kryesuesi janë nga LSDM, ndërsa 7 janë nga VMRO-DPMNE.
Kryetari i komunës thotë se ai nuk është kundër hapjes së një miniere, duke theksuar se minierat janë një nga veprimtaritë që tradicionalisht karakterizojnë këtë rajon dhe se një investim i tillë është i domosdoshëm.
“Nuk ekziston mundësi për zhvillim të ndonjë industrie tjetër të tillë përveç minierave si veprimtari bazë dhe degë që mund ta shohim si aktivitet ekonomik, por nga ana tjetër edhe si përfitim për qytetin, për komunën dhe për komunitetin lokal”, pohoi Sashko Mitovski, kryetar i komunës së Kriva Pallankës.
Në procedurën për hapjen e një miniere vendosin edhe Qeveria, por edhe komuna. Pushteti qendror jep koncesion, përmes përmbushjes së kushteve të ndërlikuara, ndërsa komuna ka kompetencat e veta me të cilat mund të ndikojë nëse do të hapet miniera apo jo.
KUSHTE – NIVEL QENDROR:
KYÇ: KONCESION PËR SHFRYTËZIM (VENDIM I QEVERISË)
PROCEDURË DERI TE KONCESIONI:
HULUMTIME GJEOLOGJIKE PARAPRAKE DHE ELABORAT
STUDIM PËR NDIKIM NË MJEDIS
DEBAT PUBLIK ME PËRFSHIRJE TË QYTETARËVE
LEJE E INTEGRUAR MJEDISORE
KUSHTE – NIVEL KOMUNAL:
PLAN URBANISTIK (PDU/PGJU)
LEJE NDËRTIMI
PAJTIME MJEDISORE LOKALE
INFRASTRUKTURË KOMUNALE (RRUGË QASJEJE, UJË, RRYMË)
LEJE LOKALE PËR PUNË
Kryetari Mitovski konsideron se në një atmosferë kaq të polarizuar është e vështirë të merren vendime racionale të bazuara në të dhëna reale. Përvojat nga vendet e zhvilluara tregojnë se me zbatimin e teknologjive moderne, standardeve të rrepta mjedisore dhe procedurave ligjore, shfrytëzimi mund të zhvillohet pa pasoja të rëndësishme për mjedisin – por vetëm nëse plotësohen të gjitha kushtet paraprake.
