LSDM, siç kanë paralajmëruar, vazhdojnë me atë që e quajnë ata publikim të “bombave” nga seria e keqpërdorimeve të pushtetit. Nga partia opozitare akuzojnë se drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Ivica Tomovski, përmes një firme familjare ka marrë mbi 160 tenderë në vlerë prej 5.5 milionë eurosh. Kompania fillimisht quhej “City Logistic” nën drejtimin e babait të tij, pastaj ndryshoi emrin në “City Outsourcing”, dhe administrator është emëruar një i afërm i tyre, thonë nga LSDM.
“Me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet, kompania familjare e Tomovskit e ka rritur aktivitetin e saj për 306%, dhe kjo vetëm gjatë vitit 2024. Rastësisht, filluan ta pastrojnë buxhetin. Vetëm gjatë vitit 2025, firma ka marrë tashmë 10 tenderë të rinj, afërsisht gjysmë milioni euro secili”, tha Aleksandar Dimitrijeviq.
Tomovski, në reagimin e tij, shkruan se nuk ka asnjë kompani private dhe është fokusuar vetëm si drejtor i SHPPP. Ai pret kërkim falje nga LSDM, përndryshe paralajmëroi padi.
“Kompania e përmendur nuk është e imja, as nuk kam ndonjë pjesë në të. Aktualisht nuk kam asnjë kompani private dhe jam fokusuar vetëm në punën time si drejtor i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta. Gjithë jetën kam punuar me ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim, dhe kështu do të vazhdoj. LSDM do të duhet të kërkojë falje për shpifjet e bëra; përndryshe, do të padisë para organeve kompetente”, deklaroi Ivica Tomovski.
Të ashtuquajturat “bomba” u paralajmëruan dje nga kryetari i partisë, Venko Filipçe, i cili tha se në periudhën e ardhshme do të publikojë një seri të shkeljeve të ligjit nga pushteti.
