LSDM kërkon nga Mickoski ta zëvendësojë Gashin – Dorëzohet interpelancë për kryeparlamentarin

TË FUNDIT

LSDM drejtpërdrejtë i bëri thirrje kryeministrit Hristijan Mickoski që ta zëvendësojë kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashin me dikë tjetër, ndërsa Prokuroria të iniciojë procedurë për Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, për të cilën Gashi, duke shkelur kompetencat, dërgoi sigurimin e tij. Nga LSDM thonë se është e papranueshme të kërkohet përgjegjësi vetëm nga kryerësi i veprës, por jo edhe nga porositësi, ndërsa Mickoskin e porositën që të respektojë ligjin në vend që të ofrojë të jetë eskortë e  VIP-ave.

“Sipas raportit të MPB-së, thuhet se i raportuari S.S. është dërguar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga kryetari i Kuvendit dhe se sanksionet ndaj rojes dhe punonjësve të tjerë të MPB-së, pjesë e sigurimit të Gashit, janë për shkak të ekzekutimit të urdhrit të kundërligjshëm. Kërkojmë urgjentisht Mickoskin që ta ndërrojë Gashin nga posti kryetar i  Kuvendit, për çka LSDM-ja do ta përkrahë. I bëjmë thirrje Prokurorisë që të fillojë procedurën, ndërsa Mickoski të dalë publikisht dhe të kërkojë përgjegjësi politike nga Gashi”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.

Nga Levica dorëzuan interpelance për kryeparlamentarin Gashi prej ku thonë se baza për këtë qëndron në 7 pika duke e përmendur edhe rastin me sigurimin në incidentin me Vjosa Osmanin.

“Baza e dytë për interpelance është shkelja e rregullave diplomatike të VIP personave, rasti konkret kur shefi i sigurimit të kryeparlamentarit mori pjesë në skandal diplomatik në Aeroportin ndërkombëtar në Shkup ndërsa kryetari i Kuvendit pranoi se ai personalisht  ka dhënë urdhër për intervenim në zonë të palejuar”, deklaroi Dimitar Apasiev, Levica.

Për këtë rast nga koalicioni VLEN thonë se derisa MPB nuk sqaron se çfarë ka ndodhur saktësisht, nuk do të komentojnë në lidhje me dërgimin e sigurimit nga ana e Gashit.

“Dërgimi është me qëllim që të qetësohet situata atje, por çfarë ka ndodhur atje, nuk e dimë. Unë nuk e di. Mendoj se nuk janë tejkaluar kompetencat me atë që është dërguar ekip për ta qetësuar situatën që ka ndodhur në aeroport”, tha Sali.

Dje kryeministri Mickoski i pyetur nëse do të kërkojë përgjegjësi nga Gashi, tha se ka institucione kompetente që do ta zbardhin rastin dhe nëse institucionet konstatojnë se ka vepër penale atëherë patjetër se do të ketë përgjegjësi. Një orë pas kësaj u dorëzua kallëzim penal kundër shefit të sigurimit të Gashit.