Partitë politike filluan të negociojnë për shumicën e re parlamentare dhe formimin e Qeverisë. Ato blejnë kohë dhe matin pulsin, por nuk zbulojnë detaje nga takimet që janë mbajtur. Ahmeti është takuar me Zaevin dhe Mickoskin, por nga ana tjetër lideri i LSDM-së, ka realizuar takim me të gjithë kryetarët e partive shqiptare.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski, thotë se partia e tij vazhdimisht ka pasur komunikim me të gjitha partitë politike, por në interes të procesit nuk zbulojnë hollësira. Megjithatë, kërkon nga LSDM-ja të zbulojë me cilën parti ka formuar shumicë, duke e quajtur “pisham parti”, sepse pas takimit të djeshëm të sekretarit gjeneral Nikollovski me Artin Grubin nga radhët e BDI-së, mbrëmë partia kumtoi se nuk është arritur marrëveshje për formimin e shumicës parlamentare.
“Nuk do të doja të hyja në detaje për t’mos dëmtuar proceset. Si do të zhvillohet situata, do t’ju informojmë me kohë. Sa i takon komunikimit me partitë politike, VMRO-DPMNE-ja gjatë periudhës së kaluar këtë e bën me të gjitha partitë politike në mënyrë miqësore”, tha Arsovski.
Bujar Osmani para dy ditëve, për TV21 deklaroi se po bëjnë përpjekje që të arrijnë një marrëveshje sa më shpejt që është e mundur dhe ta formojnë Qeverinë. Por, nuk saktësoi për çka kanë biseduar.
As nga “E Majta” nuk zbulojnë nëse kanë arritur një marrëveshje me VMRO-DPMNE-në për ta formuar shumicën parlamentare bashkë me BDI-në, edhe pse para disa ditësh, Apasiev në një intervistë televizive paralajmëroi se do ta mbështesë VMRO-DPMNE-në. Paraprakisht, në opinion publik qarkullonin spekulime se VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja tashmë kanë arritur marrëveshje, por më vonë, BDI-ja e hodhi poshtë këtë pretendim. LSDM-ja vazhdimisht po thekson se e ka shumicën e duhur dhe se do të formojë Qeveri të qëndrueshme për 4 vitet e ardhshme, e cila do t’i plotësojë premtimet ndaj qytetarëve. Qëllimet kryesore janë: eurointegrimet, sundimi i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit.
