LSDM apelon t’i bashkohen të gjithë deputetët, Janushev: Ka opsion që VMRO-DPMNE ta formojë Qeverinë

TË FUNDIT

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i publikoi rezultatet përfundimtare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 15 korrik. Me këtë, edhe zyrtarisht fillon gara për formimin e Qeverisë së re. 10 ditë para seancës konstitutive, partitë zyrtarisht janë në pushim, kurse jozyrtarisht e përgatisin terrenin për koalicion qeveritar. Nga LSDM-ja thonë se pas festës së Ilindenit do të fillojë edhe procesi i negociatave për bashkëpunim të mundshëm koalicioni.

Shtojnë se të gjithë deputetët në përbërjen e ardhshme parlamentare do të kenë mundësi t’i bashkohen forcave progresive të udhëhequra nga LSDM-ja të cilat sigurojnë sukses, avancim dhe zhvillim, e të cilat e kanë mbështetjen e shumicës së qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare.

 “Ka kohë për gjithçka. Qeveria do të formohet brenda afateve ligjore. Duhet respektuar Kushtetutën dhe ligjin. Do të kemi Qeveri evropiane, themelet e së cilës në 4 vitet e ardhshme do të jenë drejtësia dhe ekonomia”, tha Lupço Nikollovski, Sekretar  Gjeneral i LSDM-së.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se tashmë i kanë filluar negociatat, por nuk zbulojnë me kë. Megjithatë, edhe ata, ashtu si LSDM-ja shpresojnë se do të arrijnë ta formojnë përbërjen e re qeveritar.


“Një nga opsionet është që Qeverinë ta formojë VMRO-DPMNE-ja, të paktën sipas takimeve dhe kontakteve jozyrtare që i kemi. Por, si do të përfundojë e gjithë kjo, të gjithë do të jeni të informuar me kohë”, u shpreh Igor Janushev, Sekretar Gjeneral i VMRO-DPMNE-së.

Nga BDI-ja thonë se do të hyjnë në koalicion me çdo parti e cila do ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit, e Prespës dhe Marrëveshjen me Bullgarinë. Prej atje theksojnë se është shumë me rëndësi që dikush publikisht ta marrë përsipër përgjegjësinë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Njëkohësisht, kushti për negociatat me partnerin e ri të koalicionit do të jetë që kandidati i tyre të jetë kryeministri i parë shqiptar.