LSDM: Anketat e VMRO-DPMNE-së të porositura, Mickoski: Opozita shpif, qeveria e fokusuar në punë dhe reforma

TË FUNDIT

Partia opozitare LSDM i cilëson si të porositura dhe të pavërteta anketat e publikuara nga VMRO-DPMNE dhe partnerët e saj, duke thënë se ato krijojnë një realitet të rremë për opinionin publik. Sipas tyre, VMRO-DPMNE po humb mbështetje dhe ndodhet në rënie, ndërsa anketa përdoret për të maskuar situatën politike dhe ekonomike në vend. LSDM akuzon kryeministrin Mickoski se kërkon alibi për zgjedhje dhe se po përpiqet të krijojë perceptim të rremë për forcën e tij politike.

“Sipas anketës së VMRO-OKG-së, LSDM tashmë është partia e dytë, ndërsa VMRO shënon një rënie të re prej 3,5 për qind në vetëm dy muaj.Anketa të porositura, “hulumtime” të porositura, përfundime të porositura – të gjitha janë pjesë e të njëjtit operacion për krijimin e një realiteti të rremë, në të cilin VMRO-OKG dhe partnerët e saj satelitë janë “të pamposhtur”, ndërsa në realitet janë në rënie të lirë.Mickoski, për shkak të gënjeshtrave të tij gjatë fushatës dhe tani gjatë drejtimit të qeverisë, e ka humbur aq shumë mbështetjen, ndërsa organizata kriminale VMRO-DPMNE ka humbur mbi 150.000 vota”, thonë nga LSDM.

Por ndryshe  e sheh Kryeministri Hristijan Mickoski, sipas tij, Qeveria është e fokusuar në punë, projekte dhe reforma, ndërsa opozitën e akuzoi se përdor gënjeshtra, shpifje dhe fyerje si strategji politike. Ai shtoi se opozita është e ndarë dhe shpesh, sipas tij, sulmon edhe personalisht atë dhe familjen e tij.

 “Ne jemi të përqendruar në punë, në projekte dhe në zbatimin e reformave. Kjo është detyra jonë. Nga ana tjetër, kemi një opozitë të ndarë në dy pjesë, ndërsa strategjia e saj bazohet në dy shtylla – e para është të thotë të pavërteta në publik, të fyejë, të shpikë dhe të shpifë. Shpesh më fyejnë personalisht mua dhe familjen time”, tha Mickoski.

Mickoski, kritikoi edhe Levicën, duke thënë se mban qëndrime të ndryshme në publik e ndryshe gjatë bisedimeve politike. Kujtojmë se anketa e fundit, e realizuar për portalin MKD.mk  e cila u publikua dje, tregoi se VMRO-DPMNE gëzon mbështetje prej 49,7 për qind në mesin e votuesve të përcaktuar, LSDM ka mbështetje prej 14,9 për qind, BDI 12,1 për qind, VLEN 10,7 për qind, Levica shtatë për qind, ndërsa ZNAM 3,6 për qind.