Loriku dhe Jetoni me biçikleta deri në “Elbasan Arena”!

TË FUNDIT

Edhe pse moti me shi, Loriku dhe Jetoni nga Shkupi u nisën sot me biçikleta në drejtim të Elbasanit për të përkrahur Kombëtaren e Shqipërisë që të triumfojë në takimin me Serbinë dhe për herë të parë të sigurojë pjesëmarrjen në Evropianin në Francë 2016. Nuk u pengon as të ftohtit, meqë, siç thonë ata, do të bëhet shumë nxehtë në “Elbasan Arena”, ku shqiptarët e bashkuar nga të gjitha trojet janë përkrah futbollistëve për një fitore të madhe.

Jetoni dhe Loriku do të kalojnë më tepër se 240 kilometra me biçikletat e tyre, për t’u bërë pjesë e ndeshjes Shqipëri – Serbi.  Ata e vlerësojnë këtë sfidë si historike, por vetëm Loriku arriti të sigurojë biletën e ndeshjes, përderisa Jetoni do të ndjekë lojën përmes ekranit televiziv.

 

“Domethënë, unë dhe Jetoni çiklizmin e kemi si rekreacion dhe shfrytëzuam datën 8 tetor, një ditë para, të nisemi për në Elbasan. Shkaku se ndeshja ka një simbolikë të madhe për shqiptarët, rëndësia për kombëtaren është shumë e madhe në rast të fitores. Shpresojmë në fitore, ajo është qëllimi ynë kryesor, që shkojmë të shohim Kombëtaren si fiton.  Rezerva ushqimore nuk kemi me vete, mirëpo ka mjaftueshëm pompa të benzinës rrugës, që të mund të sigurojmë diçka për të ngrënë. Fizikisht jemi gati, nuk është hera e parë që marrim një rutë më të gjatë, kemi pas marshuta tjera me biçikleta edhe më të gjata se kjo, megjithatë, jemi të gatshëm fizikisht edhe jemi përgatitur”, tregon Lorik Jegeni
Jetoni po ashtu shprehet i gatshëm të përballojë këtë rrugëtim. Ai me flamurin kombëtar dhe me plisin në kokë për televizionin tonë sqaron – kilometrat nuk e frikësojnë atë. Ai, bashkë me Lorikun edhe më parë kanë realizuar udhëtime të tilla. “Edhe unë edhe Loriku ndjehemi gati, nuk e kemi bërë vetëm njëherë këtë rrugë. Kemi bërë dy-tre herë, kemi marrë edhe disa rrugë tjera, në Dibër dhe Strugë, dhe këtë herë mendojmë të ndalemi në Elbasan të shohim ndeshjen e futbollit. Edhe mendojmë të fitojmë, edhe shpresojmë të fitojmë ne. E morëm edhe flamurin, por në rrugë këtu nuk duam që të kuptohet si provokim, do të shpalosim atë rrugës për në Tetovë.  Plisi ka dy krena, andaj nuk bie  nga koka”, thotë Jeton Guri.

Këta dy të rinj u ndaluan edhe nga policia, por nuk u penguan që të udhëtojnë drejt Elbasanit. Duke u uruar rrugë të mbarë dhe me shpresë se edhe rezultati i ndeshjes Shqipëri- Serbi do të jetë i favorshëm, Loriku dhe Jetoni vazhduan rrugën në drejtim të Strugës e më pastaj drejt Poradecit e Elbasanit.

Blerim Ismaili