Lojërat Olimpike në Tokio, të cilat janë shtyrë deri në verën e ardhshme, janë gjithashtu nën pikëpyetje për vitin 2021, nëse kushtet rreth pandemisë së koronavirusit janë siç janë deri tani, tha kryetari i Komitetit Organizativ të Lojërave Olimpike në Tokio, Joshiro Mori.
Në intervistë për televizionin japonez “NHK”, Mori shprehu pritshmëri se shëndeti do të përmirësohet, por që vaksina ishte vendimtare.
“Nëse kjo gjendje vazhdon, a është e mundur që ndeshjet të zhvillohen? Ne nuk mund ta bëjmë atë”, tha ai.
Komiteti ndërkombëtar olimpik dhe organizatorët japonezë kanë shprehur vazhdimisht besim se Lojërat Olimpike do të realizohen, megjithëse thanë se nuk do të shtyhen më dhe se, nëse nuk ka kushte në vitin 2021, ato do të anulohen plotësisht.
“Do të ishte e tepërt t’i përgjigjemi secilës prej këtyre pyetjeve hipotetike. Nuk mendoj se kjo gjendje do të zgjasë edhe një vit tjetër”, tha Mori.
Shkencëtarët në tërë botën thonë se vaksina mund të krijohet në gjashtë deri në nëntë muaj, gjë që, sipas Morit, është thelbësore për lojërat. Sidoqoftë, disa pyesin nëse të gjithë atletët do të pranonin të vaksinoheshin.
