Lojërat e fatit online, Mexhiti: Do të mbyllet edhe “Megawin”, është procedurë në vete

TË FUNDIT

Edhe kompania për organizimin e lojërave të fatit online “Megawin” do të mbyllet në seancën e ardhshme të Qeverisë dhe kështu nuk do të mund të organizojë askush lojëra të fatit online në Maqedoninë e Veriut. Kështu njoftoi zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti. Siç njoftoi Mexhiti, me vendimin e parë të Qeverisë, fillimisht është prishur një kontratë për qirramarje mes Lotarisë dhe objektit të ish restorantit “Festina” në Vizbeg. Më pas janë shfuqizuar koncesionet të cilat ishin dhënë në mënyrë joligjore për kazinot online dhe vendimi i tretë është për të luftuar organizimin e lojërave të fatit në të zezë.

“Ndërsa “MEGAWIN” është 100% shtetërore që organizon online dhe ka procedurë tjetër. Në mbledhjen e ardhshme të martën do të mbyllet edhe ajo dhe 100% online kazino do të jetë jashtë funksionit në RMV. Në të njëjtën kohë ka një vendim në Qeveri ku i është shpallur luftë e ashpër, sepse ka online kazinot që kanë qenë të organizuara nga ndërmarja por ka online kazino në të zezë, në të egër që organizojnë biznesin e kazinove për shtetet tjera në rajon, për Turqi, Greqi e Shqipëri. Ka vendim të Qeverisë se do u shpallet luftë e ashpër edhe atyre me të gjitha instrumentet e shtetit”, tha Izet Mexhiti.

Për kompaninë “Megawin” dje nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi, tha se Qeveria qëllimisht nuk e ka mbyllur në mënyrë që t’i krijohet monopol kompanisë në fjalë, meqenëse është 100% shtetërore.

Edhe kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se licencat ndaj kompanive që u mbyllën janë dhënë në mënyrë joligjore. Për atë se si dhe pse janë dhënë, thotë se do të hetojnë organet e rendit.

“Sepse ato licenca që janë dhënë, janë dhënë në mënyrë jo ligjore. Dhe sepse parimisht kemi mendim juridik nga Ministria e Financeve se gjithçka që është dhënë si licencë është jo ligjore. Tani MPB, Policia Financiare por edhe institucionet tjera do të kujdesen që opinioni shumë shpejt ta mësojë të vërtetën për atë se si janë dhënë, pse janë dhënë e kështu me radhë”, deklaroi Hristijan Mickoski.

Kompanive që ju morën licencat për lojëra të fatit online ishin: NOVO VLT SHPK Shkup, MOZZART SHPK Shkup, 77 BITS SHPK Shkup dhe VEZUV SHPK Shkup e në të cilat siç njoftuan nga Qeveria, Lotaria Shtetërore ka qenë partner. Përpos këtyre katër shoqërive, Qeveria do të ndërmarrë aktivitete për heqjen e platformës 2Win.mk për organizimin e lojërave online të Shoqërisë Video Lotaria shtetërore CASINOS AUSTRIA SHPK – Shkup.