“Loja s’ka përfunduar, tani luhet në terrenin e FE-së”, VLEN pyet opozitarët sesa të sigurt janë në deputetët e tyre

TË FUNDIT

Me daljen e ASH-së me 5 deputetët e saj në opozitë, koalicioni VLEN në Kuvend bie nga 14 në 9 deputetë. Nga ana tjetër, 22 deputetë shqiptarë janë në opozitë. Çështja e legjitimitetit po rikthehet sërish në diskursin politik, por zëvendëskryeministri i parë, një prej liderëve të VLEN-it, Izet Mexhiti, kur u pyet për rënien nga 14 në 9 deputetë, tha se loja sapo ka nisur dhe se do të luhet në fushën e Frontit Euorpian.

“Sa u përket deputetëve, mendoj që loja nuk ka përfunduar. Loja ka filluar. Nëse kanë menduar se me lëvizjen e z.Taravari ka përfunduar loja, atëherë do të shohim në vijim se kjo lojë do të vazhdojë dhe do të luhet në terrenin e Frontit Euorpian. Kjo është ajo që mund ta them, ne jemi të përkushtuar çdo ditë në realizimin e programit, premtimeve dhe afër qytetarëve tanë”, tha Izet Mexhiti, Zv/kryeministër i parë  VLEN.

Edhe nënkryetari i Lëvizjes Besa – pjesë VLEN-it, ministri Fatmir Limani, shkon një hap më tej, duke pyetur opozitarët se sa të sigurt janë në deputetët e tyre?!

 “Sa janë të sigurt ata se i kanë të sigurt ata deputetë, të cilët i kishin deri dje?!”, tha Fatmir Limani, Nënkryetar L.Besa VLEN.

Çështja e legjitimitetit të përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvend, e përmendi dje në Daily Click nënkryetari i ASH-së së Taravarit, Nazim Taipi.

“Po ta kthesh në përqindje, i bie më pak se 1/3 e përfaqësimit të shqiptarëve në këtë qeveri, që po ta marrim parasysh edhe çështjen e Badenterit, sigurisht se nuk do të kenë kuorum për të votuar disa ligje”, shtoi Nazim Taipi, Nënkryetari i Ash-së.

Më tej Taipi sqaroi se do të mbështesin ligjet që do të jenë në interes bashkësive, por nuk e përjashton se në disa raste do të bashkërendojnë politikat me deputetët opozitarë. Konfirmoi se ASH do të formojë grupin e vet të deputetëve dhe nuk do t’i bashkohet atij të Frontit Europian. E nënkryetarja e BDI-së, Arbana Pasholli, e pyetur për bashkëpunimin Front-ASH në Kuvend, tha se do të merret vesh më vonë.

“E përshëndetëm hapin e tyre sa i takon reflektimit dhe asaj që u dëshmua se shqiptarët janë të margjinalizuar dhe nuk janë plotësuar nevojat e tyre në këtë qeveri. Se si do të vazhdojë më tej bashkëpunimi, ne jemi opozitë, ata do veprojnë njësoj si opozitë në të ardhmen. Do të tregojë koha besoj”, deklaroi Arbana Pasholli, Nënkryetare BDI/ FE. 

Të gjitha këto çështje po hapen pasi ASH e Taravarit vendosi të largohet nga Qeveria ende pa i mbushur një vit të plotë në pushtet, si pjesë e koalicionit VLEN.