Llaskarcë, nis ndërtimi i kanalizimit dhe ujësjellësit! Projekti 243 milionë denarë, përfshin edhe rikonstruim rrugësh

TË FUNDIT

Filluan punimet për ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe ujësjellësit në Llaskarcë të Sarajit.

Kryetari i Sarajit Muhamed Elmazi tha ky projekt gjithsej ka kushtuar 243 milionë denarë.

“Jemi për të uruar fillimet e punimeve ndërtimore të infrastrukturës nëntokësore dhe asaj rrugore, nga thirrja e dyte e qeverisë vlen në kosto prej 243 milion denarësh, ku participues është ministria e transportit në 136 milion denarë, ministria e mjedisit me 85 milion denarë dhe ne si komunë me 22 milion denarë”, tha Muhamed Elmazi, kryetar i komunës së Sarajit.

Zëvendësministrja e transportit Kaltrina Zekolli Shaqiri bëri të ditur se ky projekt ka të bëjë edhe me rikonstruimin e rrugëve brenda fshatit.

“Ky projekt ka të bëjë me rikonstruimin e disa rrugëve brenda këtij fshati, të cilat në gjatësi totalisht përfshijnë 4 kilometra dhe janë me vlerë prej 2 milionë euro. Për komunën e Sarajit kemi gjithsej 3 projekte me të cilat ka aplikuar kjo komunë dhe qeveria i mbështetë”, u shpreh Kaltrina Zekolli Shaqiri, zëvendësministre e transportit .

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka siguruar 85 milionë denarë nga kredia hungareze, bëri të ditur ministri Muhamet Hoxha.

“Jemi këtu për të shënuar fillimin e projektit për realizimin e projektit për ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe ujësjellësit pikërisht këtu në fshatin llaskarcë të komunës së Sarajit. Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga thirrja e dytë e kredisë hungareze ka siguruar mbi 85 milionë denarë”, tha Muhamet Hoxha, ministër i Mjedisit.

Ndryshe javën e kaluar nga të rreshurat e shiut pati vërshime në 4 fshatra të kësaj komune ku edhe kishte dëme materiale. Për këto kryetari Muhamed Elmazi tha se situata është stabile dhe se Komisoni po bën ende vlerësimin e dëmeve dhe të njejtat do të dorëzohen në Qeveri për t’u kompenzuar dëmet e shkaktuara.