Llandsbergis: Askush s’guxon ta mbajë peng procesin/“Anëtarët e BE-së janë të ndjeshëm për përfshirjen e çështjeve dypalëshe”

TË FUNDIT

Shpresoj që deri në fund të Presidencës franceze me Bashkimin Evropian do të ketë rezultate pozitive, pasi asnjë vend nuk guxon ta mbajë peng procesin e zgjerimit të Unionit. Këtë e theksoi ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Llandsbergis, i cili vlerëson se nga kjo varet kredibiliteti i BE-së.

Asnjë vend nuk mund ta mbajë peng të gjithë procesin e aderimit dhe parimin e politikës së dyerve të hapura. Ndoshta nuk ka kohë më të mirë kur vlerat tona evropiane janë vënë në test dhe ne jemi në një udhëkryq kur mundemi ose të biem dhe ta humbim kredibilitetin ose të dalim sa më të fortë”, deklaroi Gabrielius Llandsbergis, Ministër i Punëve të Jashtme të Lituanisë.

Shumë vende-anëtare të BE-së janë të ndjeshme sa i takon përfshirjes së çështjeve bilaterale në kornizën negociuese, tha shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Bujar Osmani, pas paralajmërimeve të Bullgarisë Se nuk do të japin dritë jeshile që Maqedonia t’i startojë negociatat me BE, në qoftë se komuniteti bullgar nuk futet në Kushtetutën e vendit tonë, e këtë ta garantojë vetë Unioni.


“Mendoj se vendet-anëtare janë shumë të vetëdijshme se ajo që do të hynte në kornizën negociuese krijon edhe precedentë të cilët pastaj duhet ndjekur. Kjo do të thotë se nuk bëhet fjalë vetëm për kornizën tonë negociuese, por edhe si do të duket më tej procesi i zgjerimit. Topi nuk është më në oborrin tonë, topi është në Sofje dhe në Bruksel. Është vendim i tyre nëse do të tregojnë lidership strategjik në këto momente apo jo dhe është përgjegjësi e tyre nëse bëhet apo s’bëhet”, pohoi Bujar Osmani,
ministër i Punëve të Jashtme.

Javën e kaluar, ministrja e jashtme bullgare, Teodora Gençovska, por edhe eurodeputeti Ilhan Quçuk, thanë se Bullgaria mund ta heqë bllokadën në qoftë se merr garanci nga BE-ja se brenda kornizës negociuese do të hyjë edhe pjesa për mbrojtjen e të drejtave të bullgarëve në Maqedoni.