Llabunishta sërish në protestë, marrje e koncesioneve apo bojkot i zgjedhjeve

TË FUNDIT

 

Llabunishta është një nga vendet më të gjelbra në vend. Peizazhet e livadheve dhe kodrave të gjelbra duken të pafund. Por, paqja e banorëve të këtij vendi dhe vendbanimeve përreth, viteve të fundit është prishur për shkak të ekskavatorëve dhe kamionëve. Në fillim ishin 6, por tani një gurore aktive vazhdimisht minon dhe gërmon kodra rreth Llabunishtës. Për këtë arsye, banorët sërish dolën në protestë. Thonë se deri më tani, kanë pasur kontakt me institucionet kompetente.

Një koncesion është marrë, një pronar është tërhequr vetë, kurse nga guroret që kanë mbetur vetëm një është aktive, edhe pse, siç thonë, janë marrë vesh që derisa zgjat procesi i marrjes së vendimit përfundimtar, ekskavatorët dhe kamionët që mos punojnë. Tani janë në pritje të vendimit nga institucionet. Afati i fundit është muaji prill. Banorët kërcënohen se nëse guroret nuk e ndërpresin punën dhe nuk u merret koncesioni, ata do ta bojkotojnë votimin.

“Ne këtu kishim këtu natyrë të bukur, sot duket sikur rrënojë e thjeshtë. Ne jemi popull i qetë, me këtë protestë duam të porosisim se në mënyrë paqësore duam të zgjidhim këtë problem”, pohoi banori Alija Qazimi.

“Në emër të të gjithë banorëve të Llabunishtës po them që nuk është e lejueshme që të helmohen fëmijët tanë. Sigurt do të ketë bojkot, nëse nuk zgjidhet kjo çështje në këtë periudhë deri në zgjedhje, 100% do të ketë bojkot. Llabunishta është e vendosur që të jetojmë qetë”, tha banori tjetër, Minas Memishovski.

“Nuk do të donim të vijë deri te ajo, më së paku do të donim të ketë bojkot të zgjedhjeve ose padëgjueshmëri qytetare, por megjithatë populli si popull, mund të ndodhë gjithçka”, deklaroi Ali Salioski nga shoqata “Natura LAB”.

Nga Ministria e Ekonomisë, thonë se janë duke punuar për rastin dhe se po i shqyrtojnë mundësitë për marrje të tërësishme të koncesioneve në rrethinën e Llabunishtës.

“Ministria e Ekonomisë e shqyrton mundësinë për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për lëndë të papërpunuara minerale në drejtim që të shqyrtohen të gjithë mundësitë ligjore dhe të ndërmerren të gjitha aktivitetet për marrjen e koncesionit për gërryerjen e lëndëve të papërpunuara minerale në rrethin e fshatit Llabunishtë”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

 Në pyetjen e deputetes së DOM-it, Liljana Popovska, kryeministri Zaev në seancën për pyetje deputetësh, paralajmëroi marrje të tërësishme të koncesioneve të guroreve. Me vendim të Qeverisë, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka marrë autorizim shtesë për prishje të njëanshme të marrëveshjeve me guroret. Protestat e banorëve të Llabunishtës dhe vendeve përreth, po zgjasin pothuajse një vit.