LISTA TË HAPURA DHE PA CENSUS, PARTITË E VOGLA SHOHIN MUNDËSI PËR PARAQITJE TË PAVARURA

TË FUNDIT

Partia në pushtet LSDM, tashmë u deklarua se e përkrah modelin proporcional zgjedhor me lista të hapura, i cili vjen si propozim i Bashkimit Evropian dhe OSBE/ODIHR, por thonë se për këtë nevojitet konsensus i gjerë. Opozitarja VMRO-DPMNE, nuk deshi të komentojë asgjë, duke thënë se ende nuk kanë qëndrim të ndërtuar. Nga BDI-ja tash për tash janë të përmbajtur. Vetëm thonë se ata nuk kanë problem me atë se sa njësi zgjedhore do të ketë. Deputetja e RDM-së (DOM), Liljana Popovska tha se ata edhe katër vjet më parë kanë ngritur nismë për ndryshim të ligjit, por se ajo nuk ishte pranuar nga partitë e mëdha. Qëndrimi i tyre është të ketë një njësi zgjedhore, lista të hapura, numër të barabartë të kandidateve gra, si dhe edhe një rreth zgjedhor pa census.

“Për listat e hapura ka shumë argumente, në mënyrë definitive kjo do të thotë demokraci në partitë politike, që do të thotë demokraci në shoqëri për shkak se qytetarët do të dinë për kë votojnë në listat e partive. Fillimisht nuk duhet të kemi census, për shkak se atëherë në mënyrë reale hyjnë aq deputetë dhe ata deputetë që i kanë votuar qytetarët dhe nuk ka keqpërdorim të votave të partive më të vogla nga partitë më të mëdha. Përndryshe gjithçka do të ishte “shkurtim” i demokracisë ose do të ishte lojë e demokracisë nëse vendosni census të lartë”, theksoi Liljana Popovska nga RDM.

Nga Aleanca për shqiptarët, thonë se ata edhe më parë janë angazhuar për lista të hapura, sepse siç thonë, kjo do ta përmirësonte cilësinë e ofertës para qytetarëve. Fadil Zendeli nga Besa thotë se përkrahin modelin e listave të hapura, por shton se partia e tij është për uljen e numrit të njësive zgjedhore, respektivisht nga 6 në 3. Megjithatë, për të më me rëndësi është të ketë lista të hapura, të cilat do t’i demokratizoheshin vetë partitë.

“Nëse hapen listat si model proporcional me këtë do të demokratizohen partitë politike. Kemi problem me shumë parti politike, me demokracinë në organet e tyre të brendshme dhe tendencën e liderëve politikë që çdoherë në listë të vendosin miq ose njerëz të tyre të afërt, kjo dukuri do të ulet. Me këtë do të hapet mundësia që të kemi më shumë intelektualë në listat e partive politike dhe me këtë vlerësoj se do të kemi Kuvend më cilësor”, u shpreh Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

Përkrahje për ndryshimet në fjalë edhi edhe nga Lidhja Demokratike e boshnjakëve, prej ku theksuan se vitin e kaluar kanë dorëzuar nismë me dy opsione. Opsioni i parë është modeli i Kosovës, sipas të cilit garantohen vendet e deputetëve, 6 për turqit, 4 për romët, 3 për boshnjakët, 3 për serbët, 1 për vllahët dhe 3 për komunitetet e tjera etnike. Opsioni i dytë është modeli zgjedhor, sipas të cilit të gjitha partitë e regjistruara do të marrin pjesë me listë prej 120 kandidatëve, kurse censusi të llogaritet si koeficient i numrit të përgjithshëm të votuesve që kanë dalë në zgjedhje i pjesëtuar me 120, respektivisht me numrin e përgjithshëm të deputetëve. Nisma vjen nga shefi i shtetit, Stevo Pendarovski, kurse këtyre ditëve pritet që partitë të hapin një debat mbi ndryshimet ligjore.

Përgatiti: Svetllana Unkovska