Lista Serbe ka marrë vendim sot që të largohen nga institucionet e Kosovës. Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.
Deputetët e Listës Serbe, përkundër paralajmërimeve sot se do të japin dorëheqje nga çdo pozitë e lartë, këtë s’e kanë bërë ende.
Lajmin e ka konfirmuar Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca.
“Ende jo. Veç deklaratë publike”, është shprehur Kërçeli për Klan Kosova.
Tutje, derisa lajmi për tërheqje u kumtua nga vetë kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç, dhe pas veprimit të pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës me heqjen e uniformave, këta të fundit të stacionuar në stacionin policor në Zveçan, kanë thënë se puna e tyre në ndërrimin aktual është duke vazhduar, njofton Klan Kosova.
Të njëjtit kanë thënë se nuk nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga askush për heqje të uniformës. Megjithatë, kanë konfirmuar se pjesëtarët serbë të PK-së janë në terren pasi po mundohen të mos qëndrojnë në vende publike, pas situatës së krijuar sot.
Kujtojmë se kreu i Listës Serbe, Goran Rakiç ka thënë se këto vendime për largimin dhe pezullimin e institucioneve mbeten në fuqi deri në momentin që “Prishtina të fillojë të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e dakorduara në Bruksel”.
