Lirohet nga akuza Arafat Muaremi/ Ruskovska nuk dëshiron të komentojë

TË FUNDIT

Nuk ekziston asnjë dyshim se ish drejtori Arafat Muaremi ka  kryer vepër penale gjatë kohës kur ai udhëhiqte me Policinë Financiare. Këtë e bënë të ditur nga Prokuroria Publike për Ndjekje të Krimit dhe Korrupsionit, të cilët thonë se pas kontrollit të dokumentacionit është evidentuar se Policia Financiare ka ka ndërmarrë veprimet e duhura lidhur me rastet dhe i ka njoftuar prokuroritë publike kompetente dhe institucionet tjera përkatëse.

“Në bazë të analizës së të gjitha provave në dispozicion, prokurori publik në fjalë solli aktvendim me të cilin hodhi poshtë kallëzimin penal për shkak se nuk ka dyshim të arsyeshëm se të pandehurit kanë kryer veprat për të cilat raportohen apo ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.”- thanë nga Prokuroria Publike për Ndjekje të Krimit dhe Korrupsionit.

TV21 kërkoi qëndrim nga ish prokurorja Villma Ruskovska e cila me muaj të tërë ishte e bindur në akuzat kundër Muaremit.

 “Qëndroj pas asaj që kam thënë, nuk do të komentoj vendime të Prokurorisë e as Gjykatës”- tha Villma Ruskoska – ish prokurore.

Nga ana tjetër ish drejtori Arafat Muaremi pas vendimit të Prokurorisë tha se se sulmi ndaj tij ka qenë vetëm për qëllime dhe interesa personale të dikujt, ndërsa ritheksoi se gjatë udhëheqjes së tij nuk ka pasur asnjë punë të paligjshme në Policinë Financiare.

“Përveç kësaj, ju njoftoj se kundër Vilma Ruskoskës kam paraqitur padi në Gjykatën Themelore Civile, sepse ajo në disa raste në paraqitjet e saj publike edhe pse e vetëdijshme për të pavërtetën e të njëjtës, vazhdonte të fliste për të dhëna të rreme dhe të pavërteta, duke gënjyer dhe shpifur. Nga ana ime, abuzimet e Vilma Ruskoskës do të vërtetohen dhe do të zbulohen deri në fund”- tha Arafat Muaremi – ish drejtor i Policisë Financiare.

Rasti i parë për të cilin akuzohej Muaremi kishte të bënte me një kallëzim anonim ndaj tyre se si polici financiare nuk kanë vepruar sipas denoncimeve anonime që kanë marrë në vitet e kaluara. Dhe rasti i dytë i referohej një denoncimi të një personi nga Dibra, i cili pretendonte se ish-drejtori dhe punonjësit kanë kryer vepra penale si shpërdorim i detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhunë dhe ngacmim.

Megjithatë, lëndët që janë mbyllur përmbajnë shënim zyrtar nga i cili sipas Prokurorisë mund të konstatohet se Policia Financiare ka vepruar sipas detyrës zyrtare.