“Liri për Blerimin” – Familjarët dhe veteranët protestojnë para Gjykatës Themelore

TË FUNDIT

Të brengosur për gjendjen dhe fatin e bashkëshortit dhe babait të tyre, familja e ngushtë e ish-ushtarit të UÇK-së të arrestuar në Maqedoni, Blerim Ramadani, erdhën para Gjykata Themelore në Shkup për të kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm. Ata thonë se Blerimi është arrestuar padrejtësisht dhe nën diktat të Serbisë. Protesta u organizua nga Shoqata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

“Arrestimi i ish ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani dhe dërgimi në paraburgim ekstradues nga policia e Maqedonisë së Veriut dhe gjykata vendore është i papranueshëm. Ne veteranët dhe bashkëluftëtarët e Blerim Ramadanit kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe tërheqjen e urdhër arrestit të regjimit të Vuçiqit dhe mos përsëritjen e vlerësimit të autoriteteve policore gjyqësore nën diktatin e Vuçiqit dhe Serbisë kundër ushtarëve të UÇK-së”, tha Mevludin Bajrami – SHVL UÇK.

Çdo vonesë e lirimit të Blerimit për ta paraqet ofendim dhe poshtërim të luftës për drejtësi, thonë organizatorët e protestës.

“Ky akt 25 vjet pas luftës së drejtë të shqiptarëve për liri dhe barazi, demokraci dhe pavarësi është i papranueshëm dhe ne kërkojmë lirimin e tij të menjëhershëm pa asnjë vonesë dhe kthimin e tij në familjen e tij. Çdo ditë vonesë është tendencioze me qëllim të ofendimit dhe poshtërimit të luftës tonë të drejtë për liri dhe kjo mendësi dhe veprimtari nuk do të tolerohet”, deklaroi Bajrami.

Familja e ngushtë e Blerim Ramadanit nuk mblodhën guximin për të folur para kamerave, duke mos dashur që të dëmtojnë procesin gjyqësor. Prapa kamerave na thanë se Blerimi për gjatë kohë nuk ka hyrë në Maqedoni ndërsa kufiri i vetëm që ka kaluar ka qenë ai me Shqipërinë, por atje thanë se nuk ka pasur probleme të tilla. Përndryshe ish-ushtari i UÇK-së Blerim Ramadani u arrestua më datën 17 korrik në vendkalimin kufitar në Jazhincë. Për të, si për shumë ish-ushtarë të UÇK-së, Serbia kishte ka lëshuar fletëarrestim ndërkombëtar. Ramadani për momentin gjendet në paraburgim 30-ditor.