Ligji për përfaqësim të drejtë nuk duket askund! Në 6 muajt e fundit autoritetet deklarojnë se është në përfundim e sipër

TË FUNDIT

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ende nuk duket askund. Bartës të projektligjit në fjalë janë zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti dhe zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai, por opinioni nuk di se kush janë grupet e punës, të cilët janë duke përgatitur Draft-ligjin. Përgjigjet janë pothuajse të njëjta në 6 muajt e fundit, se ky ligj është në përfundim e sipër.

“Tani më ka thuajse versioni final dhe mendoj që ditët janë në pyetje që ta kalojmë ne Qeveri, të shkojë në Komisionin e Venecias për marrje mendimi dhe të kthehet në procedurë parlamentare. Ndërkohë si u paraqit problemi me balancuesin deri sa të jetë ligji valid me versionin përfundimtar, kemi marrëveshje politike që të respektohet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat edhe pa Balancues edhe pa Ligjin përkatës në këtë periudhë”, tha Izet Mexhiti.

Nga ana tjetër Fetai theksoi se këtë javë pritet të mbajnë takimin e fundit në nivel të grupit të ekspertëve.

“Jemi në faza finale të konsultimeve brenda koalicionit, brenda grupit punues, por nuk mund të vendosim afate. Duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme, e cila na mundëson që të përkthejmë në obligim ligjore parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Kemi diskutime, thuajse në baza ditore në kuadër të ekipit që është duke e përgatitur dhe finalizuar këtë projekt-ligj. Këtë javë uroj ta kem takimin e fundit në nivel të grupit të ekspertëve dhe pastaj do të dalim së bashku me Kryeministrin Mickoski, do e promovojmë para publikut”, deklaroi Arben Fetai.

Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pritet të jetë një kornizë ligjore për të drejta të barabartë të bashkësive etnike në institucionet publike dhe shtetërore. Nevoja për këtë ligj të ri u paraqit pas shfuqizimit të Mekanizmit të balancuesit nga Gjykata Kushtetuse. Balancuesi u krijua në bazë të Marrëveshjes së Ohrit të 2001, e cila për gjitha këto vite ka qenë metodologjia e punësimeve sipas përkatësisë etnike në administratën publike, polici, ushtri, arsim dhe institucione të tjera shtetërore.