Ndonëse mori vlerësim pozitiv nga Komisioni i Venecias me disa vërejtje, propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, prej më shumë se tre muajsh nuk ka hapa konkretë për miratimin e tij dhe mungon një afat i qartë nga qeveria. Deputeti i ASH-së, Rijad Shaqiri, thotë se procesi po zvarritet dhe karakterizohet nga mungesë transparence, ndërsa dërgimi në Komisionin e Venecias vetëm sa e ka vonuar më tej.
“Sa i përket përkrahjes apo mos përkrahjes së këtij ligji, nuk mund të them pa e parë se çfarë përmban ligji. E dyta, por unë kam vërejtjet dhe rezervat e mia, se ky ligj deri në fund të mandatit të Qeverisë nuk do të implementohet. Realisht, edhe nëse kthehet prej Komisionit të Venecias me përgjigje pozitive, edhe Qeveria kushtimisht ka gatishmërinë që ta implementojë, duhet të ketë të parapara mjete buxhetore, duhet të shkohet në rebalanc të buxhetit, të parashikohen mjete dhe mandej të implementohet ligji”, tha Rijad Shaqiri – Deputet i ASH-së.
Ndërkohë, një nga liderët e VLEN, Izet Mexhiti, deklaroi se ligji i ka kaluar procedurat dhe pritet të miratohet së shpejti në Kuvend. Ai shtoi se edhe pa “Balancuesin”, përfaqësimi i shqiptarëve ka arritur nivele rekord falë angazhimit të faktorit politik shqiptar në qeveri.
“Ligji i përfaqësimit i ka kaluar të gjitha filtrat dhe ka marrë edhe vlerësimin në Komisionin e Venedikut dhe është momenti që, me pak vonesë, të rikthehet dhe të kalojë në mënyrë definitive në parlamentin republikan dhe të jetë ligj valid dhe të mbyllet si çështje kjo dhe ta luajë rolin e vet për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në RMV. Po për t’i rehatuar qytetarët tanë, atë që e tha Avokati i Popullit vitin e kaluar, edhe pse nuk ka pasur Balancues, por faktori politik shqiptar në qeveri bëri që të arrihet rekordi i përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore”, pohoi Izet Mexhiti nga VLEN.
Nga ana tjetër, BDI akuzoi për shkelje të parimit të përfaqësimit të drejtë, duke theksuar se në 40 avancimet në Regjistrin Qendror nuk është përfshirë asnjë shqiptar. Opozita shqiptare, përfshirë edhe atë të Ziadin Sela, kritikoi projektligjin për mungesë mekanizmash ndëshkues dhe paralajmëroi se ai mund të mbetet vetëm në letër.
