Ligji për mbrojtje nga duhani të martën në qeveri! Paralajmërohen kontrolle rigoroze dhe zero tolerancë

TË FUNDIT

Ligji për mbrojtje nga duhani të martën do të shqyrtohet në seancë qeveritare, ndërsa do të hyjë në fuqi menjëherë pasi të miratohet nga deputetët. Megjithatë, hotelierëve u është lënë afat prej një viti për t’i përshtatur objektet e tyre. Kryeministri, ministri i Shëndetësisë dhe shoqatat e sektorit shprehen të kënaqur, pasi përmes konsultimeve kanë përgatitur, sipas tyre, zgjidhjen më të mirë për të gjithë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik. Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi kontrolle të rrepta inspektuese në të gjithë territorin e vendit.


“Nuk do të ketë rajone, qytete apo vendbanime të privilegjuara ku ligji nuk do të respektohet. Për këtë ju garantoj dhe këtu nuk do të ketë asnjë lloj tolerance. Nuk do të ketë të privilegjuar. Nëse dikush mendon se do të ketë trajtim të veçantë sepse është i afërt me këtë apo atë, se nuk do ta respektojë ligjin dhe nuk do të kapet, gabohet. Mund të ndodhë një herë të mos ndëshkoheni nëse nuk ju kapim, ndoshta edhe herën e dytë. Por herën e tretë me siguri do të kapeni dhe do të sanksionoheni”, tha Mickoski.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sqaroi se propozim-ligji nuk ndalon prodhimin, importin, eksportin apo shitjen e produkteve të duhanit, por rregullon përdorimin dhe promovimin e tyre në vendet ku mund të ndikojnë në shëndetin e personave të tjerë. Sipas tij, zgjidhja parashikon rregulla më të qarta për hapësirat e mbyllura, tarracat, reklamimin, promovimin, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e fëmijëve.

“Duhani, për fat të keq, lidhet me rreth 3.600 raste vdekjesh në vit në vendin tonë, që përbëjnë rreth 13 për qind të të gjitha vdekjeve në shtet. Humbja ekonomike vlerësohet në 38 miliardë denarë, ose mbi 600 milionë euro në vit, që përfaqësojnë rreth 5,16 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, për trajtimin e këtyre qytetarëve. Ndër të rinjtë nga mosha 13 deri në 15 vjeç, 13,6 për qind përdorin produkte të duhanit ose nikotinës”, deklaroi Aliu

Sipas ministrit, shqetësues mbetet fakti se 73 për qind e të rinjve duhanpirës, pavarësisht moshës së tyre, asnjëherë nuk janë penguar të blejnë cigare. Ai tha se kjo tregon se bëhet fjalë për një çështje të shëndetit publik, mbrojtjes së fëmijëve, mbrojtjes së joduhanpirësve, mbrojtjes së punëtorëve dhe krijimit të rregullave të qarta në hapësirat publike. Fillimisht, ligji ishte paraparë të zbatohej nga marsi i këtij viti, por u tërhoq për përpunim shtesë pas reagimeve të hotelierëve dhe industrisë së duhanit.