Ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune nxitën debat të ashpër në seancën parlamentare. Opozita me vërejtje për tekstin e ndryshimeve, por edhe për mënyrën e sjelljes së ligjeve të nevojshme për korridoret 8 dhe 10D që kanë flamur europian. Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE tha se pushteti në linjë të shpejtë po i shtyn ligjet, posaçërisht Ligjin për marrëdhënie pune i cili është antikushtetues, andaj kërkoi që i njëjti të tërhiqet.
“Këtu kërkojmë pajtueshmëri në formë të shkruar nga punëtori, d.m.th. do ta bëjmë punëtorin që të kryej diçka antikushtetuese, përkatësisht do ta bëni. Thoni se ky ligj mund të zbatohet edhe të dielën.
Bëtë famë të madhe me ligjin me të cilin e diela u shpall ditë jo pune, bëhej PR, u bënë festa. Ku është Prokuroria Themelore publike për t’u prononcuar, a do të presim përgjigje apo do të shkojmë me forcë për të shtyrë këto punë. Kjo që po ndodh është e turpshme, kjo është e turpshme për demokracinë sepse kjo paraqet dhunim të demokracisë”, theksoi Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.
Korridori 8 dhe 10D ka rëndësi të madhe për vendin ku Maqedonia u bë pjesë e hartës së korridoreve kryesore të rajonit dhe BE-së, replikoi Zhaklina Llazarevska, nga LSDM
“Bëhet fjalë për projekt i cili është investimi më i madh kapital në infrastrukturën e shtetit tonë, që nga krijimi i shtetit e deri më sot. Duhet të angazhoheni që Maqedonia të mos jetë zorrë qorre, shtet i harruar, ndërsa ndodhet në qendrën strategjike të Ballkanit. Besoj se qytetarët tanë duhet të lidhen me të gjithë popujt dhe shteti jonë para se gjithash të ketë rëndësi të madhe në lëvizjet ekonomike në Europë, përkatësisht edhe në Ballkan edhe në Europë”, pohoi Zhaklina Llazarevska, LSDM.
Për Ligjin për marrëdhënie pune para fillimit të seancës së sotme me reagim doli Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, me thirrje për deputetët që të mendojnë se si votojnë.
“U bëjmë thirrje deputetëve që të na bashkëngjiten neve punëtorëve, sindikatave, apeleve të sindikatave botërore dhe europiane, apeleve të Komisionit Europian dhe ambasadorit të BE-së në Maqedoni dhe të kundërshtojnë vendosje e 72 orëve pune në javë. Të gjithë të mos lejojmë vendosjen e 12 orëve pune në ditë, 6 ditë të javës, ndërsa deputetët nga gjithë partitë politike të inkurajohen dhe të mos bëjnë kuorum në parlament për votimin e Ligjit për marrëdhënie pune me të cilin keqpërdoret flamuri europian dhe shkelen të drejtat e punëtorëve”, thonë nga LSM.
Në të njëjtën kohë në Komisionin për çështje europiane po vazhdon debati dy ditorë i amendamenteve për ndryshimet e Ligjit për ndërtim, ndërsa për debat mbeten edhe dy ligje nga pakoja e ligjeve të nevojshme për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D.
