Me këtë propozim-ligj rregullohen lojërat e fatit dhe vendosen rregulla të qarta me të cilat parandalohet reklama agresive, vendoset mbrojtje për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, si dhe forcim i kontrollit dhe mbikëqyrjes. Këtë në arsyetimin e propozim-ligjit e theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska, e cila tha se ai nuk paraqet kufizim pa qëllim, por është për kontroll më të madh dhe mbrojtje të të miturve.
“Ndalohet reklamimi i cili krijon përshtypjen se lojërat e fatit janë mjet për sukses financiar, për zgjidhjen e problemeve personale ose sociale, ose të cilat drejtpërdrejt ose tërthorazi i nxisin të miturit të marrin pjesë në to”, tha Gordana Dimitrieska Koçoska.
Zgjidhja ligjore është e mirë, vlerëson drejtor i Lotarisë Shtetërore Aleksandar Klimovski, por ai paraqiti disa vërejtje. Tha se lojërat e fatit në internet duhet të jenë nën Lotarinë Shtetërore.
“Lojërat e fatit në internet krijojnë varësinë më të madhe. Prandaj shteti duhet këto lojëra online t’i vendosë nën kontrollin e tij. Ato janë të qasshme 24 orë në ditë, pa prani fizike dhe me rrezik të madh për abuzime, pastrim parash dhe përdorim të identiteteve të huaja dhe qasje të të miturve”, tha Aleksandar Klimovski.
Reagime për zgjidhjen e propozuar dhanë edhe shoqatat, të cilat përsëritën qëndrimin se me një zgjidhje të tillë ligjore do të mbeten pa punë rreth 10 mijë të punësuar, ndërsa operatori më i madh i lojërave të fatit do të jetë shteti. Taksa për kompanitë private do të jetë shumë më e lartë dhe me këtë do të mbyllen lojërat legale të fatit, ndërsa shpejt do të shfaqen ato ilegale, me çka të rinjtë nuk do të mbrohen.
“Dua t’ju pyes, çfarë mendoni se do të ndodhë kur të mbyllet një pjesë e madhe e tregut legal? A do të ndalojnë njerëzit të luajnë? Absolutisht jo. Do të kalojnë atje ku shteti nuk ka kontroll, në tregun e zi, në objekte ilegale”, deklaroi Vasko Ilievski, ASOM.
“Humbet kuptimi i masës për mbrojtje të supozuar të rinisë, kur përmes telefonave celularë dhe internetit ata do të jenë të ekspozuar në çdo kohë ndaj lojërave online të fatit”, tha Goran Stojmenov, APIS.
Propozim-ligji parashikon që në të ardhmen kazinotë të mos lejohen të jenë të vendosura në afërsi prej të paktën 500 metrash nga shkollat, si dhe ndalime për reklamimin e tyre, veçanërisht atyre që krijojnë përshtypjen se me to arrihet sukses financiar ose që janë të drejtuara posaçërisht ndaj të miturve për t’u përfshirë në lojërat e fatit.
