Fronti Europian vazhdon të shpreh shqetësimin për gjendjen politike në vend, pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi përkohësisht mekanizmin e balancuesit gjatë punësimeve në administratën publike. Deputeti i Frontit Europian Blerim Bexheti, në Click Plus paralajmëroi se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mënyrat demokratike, për të mbrojtur siç thotë, të arriturat e tyre që i kanë realizuar derisa ishin në pushtet. Përmendë ligjin për flamujt, ligjin për gjuhët, për përfaqësim të drejtë e të tjera.
“Shqetësimi jonë është që të mos vazhdon siç ishte me balanserin se edhe çështja e balanserit ishte premtim parazgjedhor i tyre. Dhe e ritheksoj. Po normalisht se do t’i shfrytëzojmë mënyrat demokratike qoftë me protesta qoftë me…”, tha Blerim Bexheti
-Për ta mbrojtur?
“Për ta mbrojtur një të arritur që këta e mundësojnë ditë për ditë ta legjitimojnë atë përcaktim të VMRO-së”, deklaroi ai.
Por deputeti nga radhët e koalicionit VLEN, Halil Snopçe, premton se qytetarët shqiptarë nuk do të diskriminohen gjatë punësimeve. Për këtë, thotë se e kanë gati propozim ligjin e ri, por nuk do ta dorëzojnë në Kuvend derisa Gjykata Kushtetuese të marrë vendim final.
“Ligji është i gatshëm, e kam këtu. Por normalisht, ne nuk do të shkojmë menjëherë ta propozojmë. Prej kësaj apo më së voni javën e ardhshme do të nisim tribunat debative me intelektualë dhe profesionistë, që të marrim mendimet dhe vërejtjet e tyre, që ta bëjmë në mënyrë më të përsosur të mundshëm. Dhe kemi pajtueshmëri prej partnerit tonë, VMRO-DPMNE, për sjelljen e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe barabartë. Pra balanseri edhe nëse shfuqizohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese, zgjidhet me këtë gjë”, tha Halil Snopçe.
Nga Lëvizja Znam thonë se shfuqizimi i përkohshëm i balancuesit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, nuk do të pengojë përfaqësimin e drejtë të komuniteteve gjatë punësimeve. Kërkon që punësimet të bëhen në bazë të meritokracisë.
“Me siguri do të ketë mirëpo këtë tani nuk mund ta komentoj. Pas vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, kompetentë për këtë do të jenë Qeveria dhe Kuvendi”, tha Nikolla Memov.
Përndryshe siç deklaroi dje deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është marrëveshje mes partnerëve të koalicionit, respektivisht mes VLEN dhe VMRO-DPMNE, ndërsa për Lëvizjen Znam thotë se nuk mund të përzihen sepse nuk kanë qenë pjesë e negociatave për formim të Qeverisë që në fillim, por janë si pjesë shtesë.