Liga e Kombeve, Maqedonia e nis me Zvicrën! Sedlloski me ftesë për 25 futbollistë dhe tre portierë

TË FUNDIT

Përzgjedhësi i Kombëtares së Maqedonisë, Goce Sedlloski, publikoi listën e futbollistëve të grumbulluar për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Zvicrës, Sllovenisë dhe Skocisë.

Në listë janë katër debutues: mbrojtësit Anes Meliçi dhe Gjorgje Xhekovi, mesfushori Matej Gashtarov dhe sulmuesi i Strugës, Hristijan Maleski.

Pas një pauze prej katër vitesh, në përfaqësuese rikthehet edhe Mario Mlladenovski, i cili me paraqitjet e mira në fanellën e Varazhdinit e ka merituar ftesën e radhës.

“Në këtë periudhë të shkurtër, prej rreth dhjetë ditësh, do të kemi katër ndeshje. Këtë deri më tani nuk e kam përjetuar kurrë. Por, çfarë të bëjmë, kështu është. Prandaj është edhe lista që e publikova. Futa në listë 25 lojtarë, plus tre portierë. Do të bëjmë rotacion, por fillimisht duhet të mendojmë për ndeshjen e parë kundër Zvicrës”, tha Sedlloski.

Trajneri pret që ekipi, gjatë periudhës së shkurtër të përgatitjeve, të krijojë kompaktësinë dhe harmoninë e nevojshme. Problem i veçantë mbetet efikasiteti, pasi Maqedonia nuk ka shënuar gol në katër ndeshje radhazi.

“Është e vërtetë, që kur jam përzgjedhës, në këto katër ndeshje nuk kemi shënuar gol. Duhet të punohet, duhet të stërvitemi. Ja, këtu janë lojtarë të rinj në sulm, duke filluar nga lojtarët që janë grumbulluar nga liga e Maqedonisë. E dini edhe vetë, nga liga e Maqedonisë nuk janë grumbulluar kurrë gjashtë futbollistë. Nuk më kujtohet një rast i tillë. Në pjesën e sulmit, i kam ftuar edhe Azer Omeregiqin dhe Maleskin. Sezonin e kaluar shënuan rreth 30 gola, ndërsa këtë sezon Maleski ka shtatë gola, Azer Omeregiqi katër-pesë gola, dy në Kupë, dy në Evropë dhe një në kampionat. E kanë merituar plotësisht ftesën në Kombëtare. Këtu janë edhe Rastoderi dhe Miovski, ndoshta do të ketë edhe ndonjë tjetër, të shohim pasi të përfundojë kjo ndeshje këtë fundjavë”, deklaroi Sedlloski.

Maqedonia e nis ciklin më 26 shtator në shtëpi kundër Zvicrës. Më pas, më 29 shtator, luan si mysafire ndaj Sllovenisë, më 3 tetor pret Skocinë, ndërsa më 6 tetor udhëton për përballjen e dytë me Zvicrën.

LISTA E KOMBËTARES SË MAQEDONISË:

Portierë: Stole Dimitrievski (Valencia, Spanjë), Damjan Shishkovski (Borac Banja Luka, Bosnjë e Hercegovinë), Davor Taleski (Vardar);

Mbrojtës: Gjoko Zajkov (Ajman, Emiratet e Bashkuara Arabe), Anes Meliçi (Shkëndija), Visar Musliu (Sint-Truiden, Belgjikë), Gjorgje Xhekovi (Sileksi), Mario Mlladenovski (Varazhdin, Kroaci), Bojan Ilievski (Tirana, Shqipëri), Andrej Stojçevski (Slovacko, Çeki), Sebastian Herrera (Borac Banja Luka, Bosnjë e Hercegovinë), Ezgjan Alioski (Lugano, Zvicër), Din Alomeroviq (UTA Arad, Rumani);

Mesfushorë: Jani Atanasov (Aktobe, Kazakistan), Agon Elezi (Sarajevë, Bosnjë e Hercegovinë), Boban Nikollov (Vardar), Luka Stankovski (Kolos Kovalivka, Ukrainë), Tihomir Kostadinov (Slovacko, Çeki), Elif Elmas (Atalanta, Itali), Enis Bardhi (Konyaspor, Turqi), Matej Gashtarov (Crvena Zvezda, Serbi), Lupçe Dorievi (Sogdiana, Uzbekistan), Darko Çurlinov (Pogon Szczecin, Poloni), Dimitar Mitrovski (Olimpija Ljubljana, Slloveni);

Sulmues: Elmin Rastoder (Panathinaikos, Greqi), Bojan Miovski (Rangers, Skoci), Azer Omeregiq (Vardar), Hristijan Maleski (Struga Trim Lum).