Lidhja e paligjshme e instaluar në sistemin e furnizimit me ujë në Gostivar, e cila po hetohet në kuadër të rastit për ndotjen e ujit të pijshëm, nuk ndodhej në zonat e mbrojtjes sanitare dhe nuk ishte e përfshirë në lejen e vlefshme të lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Drejtoresha e Inspektoratit Ivana Ginovska tha se lidhja ishte instaluar rreth 800 deri në 900 metra larg nga pika e fundit e mbuluar nga leja për sistemin e furnizimit me ujë.
“Për çdo ndryshim që planifikon ta bëjë Ndërmarrja Publike në Gostivar, ose çfarëdo lloj Ndërmarrje Publike Komunale, së pari duhet të bëjë kërkesë deri te administrata e Mjedisit Jetësor, Sektori i Ujit, ato ta shikojnë atë dhe të njëjtën të japin ose miratim ose refuzim, sepse punohet për gypin e ujit për pije dhe këtu bëhet fjalë për kushte të jashtëzakonshme sanitare, deri sot nuk ka arritur deri te ministria”, u shpreh Ivana Ginovska, drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit.
Ndalimi i përdorimit të ujit nga ujësjellësi i Gostivarit për pirje dhe përgatitjen e ushqimit mbetet në fuqi derisa testet laboratorike të konfirmojnë sigurinë e tij, theksoi drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë Oliver Millanov. Ai shpjegoi se vetëm tri ditë para se të zbulohej se gostivarasit kishin pirë ujë të kontaminuar me fekale, Instituti i Shëndetit Publik në Gostivar kishte dorëzuar raport se uji ishte i sigurt për pije.
“Për të parandaluar një rrezik më të madh për banorët e këtij rajoni, AUV menjëherë vendosi një ndalim të përkohshëm për përdorimin e ujit të pijshëm. Dje, aktivitetet u zgjeruan ndjeshëm, me shërbimet e inspektimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që morën mostra shtesë nga i gjithë sistemi i furnizimit me ujë, duke përfshirë institucionet publike, kopshtet, objektet e hotelerisë dhe të tjera që përdorin këtë ujë për pirje dhe përgatitjen e ushqimit”, theksoi Oliver Millanov, drejtor i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë .
Ndërsa ministri i Mjedisit Muhamet Hoxha, bëri të ditur se pushteti lokal është linja e parë e përgjegjësisë.
“Furnizimi me ujë të pijshëm, mirëmbajtja e sistemeve të ujësjellësit, grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza, janë kompetencë e komunave dhe ndërmarrjeve publike komunale. Pushteti lokal është linja e parë e përgjegjësisë për funksionimin e sigurt të këtyre sistemeve, si dhe për vendosjen dhe mbrojtjen e zonave sanitare mbrojtëse rreth burimit të ujit”, tha Muhamet Hoxha, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Përndryshe numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të problemeve me stomakun, diarresë dhe temperaturës, në Gostivar ka kaluar mbi 3 mijë pacientë.
