Besimtarët myslimanë sot po festojnë festën e Kurban Bajramit. Me këtë rastë liderët politikë nëpërmjet mesazheve në rrjetet sociale kanë uruar besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin.
“Të jemi të hapur dhe solidarë me të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje jo vetëm në ditët e festave por edhe gjatë gjithë vitit. Në një kohë kur i gjithë njerëzimi po ballafaqohet ende me pandeminë e kovid-19 dhe me pasojat e saj shkatërruese, nevojitet që t’i tejkalojmë të gjitha mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet dhe të bashkuar të punojmë për të mirën e çdo qytetarit tonë”, ka shkruar presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.
“Madhështia e festës së Kurban Bajramit na rikujton në thelbin e ekzistencës njerëzore, gjënë më të vlefshme për ne, për kujdesin e shëndetit dhe ruajtjes së jetës dhe kujdesin për më të afërmit. Le të jetë festa edhe nxitje në periudhën që vijon, të vaksinohemi në mënyrë masive, si mjet më efikas në luftën kundër pandemisë me COVID-19 dhe në këtë mënyrë bashkërisht të arrijmë që më shpejt dhe pa dhimbje të mbrohemi dhe t’i tejkalojmë pasojat e saj.
Festa e sakrificës na tregon për vlerat që janë universale, na dërgon mesazhe fisnike që kërkojnë respekt dhe kujdes për shoqërinë tonë në mënyrë të barabartë për të gjithë, për shoqërinë në të cilën diversiteti kulturor, etnik dhe fetar është një thesar dhe një vlerë unike e paçmuar.
Në frymën e traditës shekullore të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit në vendin tonë, më lejoni t’ju uroj të kaloni ditët festive me shëndet të mirë dhe forcë shpirtërore!
Qoftë i bekuar dhe urime festën e Kurban Bajramit“, ka shkruar kryeministri i vendit, Zoran Zaev.
“Le të jetë festa e Kurban Bajramit rikujtues për të gjithë ne, të çmojmë jetën, të çmojmë dhe respektojmë njëri tjetrin, në çdo çast, çdo ditë dhe në çdo vend. Të shtrijmë dorën e mbështetjes ndaj të afërmve, të largëtve, ndaj fqinjit dhe familjes, ndaj të panjohurit. Të jemi njerëz dhe të jemi të njerëzishëm. Ditët festive le t’ju sjellin gëzim, lumturi dhe paqe të brendshme. Gëzuar Kurban Bajrami, Juve dhe të afërmve”, thekson kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
“Në këtë ditë feste të Kurban Bajramit, uroj që në gjirin tuaj familjar të keni shëndet, mbarësi dhe begati pafund!
Festat gjithmonë na bashkojnë dhe na afrojnë me njëri-tjetrin në gëzim për njerëzit që i kemi pranë dhe në mall për ata që nuk janë më me ne.
Kjo festë e sakrificës t’ju gjejë mirë ju dhe të gjithë besimtarëve, në devotshmëri ndaj Zotit dhe të përkushtuar ndaj familjes dhe shoqërisë“, shkruan kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
“Sjelltë shëndet, mirëqenie, gëzim, paqe dhe lumturi në familjet tuaja! Kjo festë le të inkurajojë frymën e bashkimit dhe solidaritetit dhe të forcojë vlerat e vërteta të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Le të mbushet kjo ditë e bekuar me gëzim“, potencon kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.
“Prandaj, nëse ka një ditë në vit kur ne duhet të shkrihemi për të tjerët, kjo është dita e Bajramit të Kurbanit, që në traditën tonë njihet edhe si Bajrami i Vogël. Duke u lutur që secili nga ne sot të jetë Ibrahim dhe Ismail, jua uroj nga zemra festën e Bajramit të Vogël, duke ju dëshiruar që kremten ta kaloni në gjirin tuaj familjar, në vizita të ndërsjella e me gëzim e lumturi.E gëzofshi për shumë vjet Bajramin e Kurbanit. Zoti ju bekoftë”, ka shkruar mes tjerash Afrim Gashi – kryetar i Alternativës.
“Falja, zemërgjerësia dhe humanizmi le të zbukurojnë Festën e Kurban Bajramit. Këtë festë le ta shënoj mëshira, toleranca dhe dashuria ndër ne. Uroj që mirëqenja, begatia dhe lumturia të jenë pjesë e pandashme e fatit të familjeve tuaja. Për shumë mote urime Festa e Kurban Bajramit“, thekson kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
“Uroj që ky Bajram të përcillet me dashuri e solidaritet. Le të jetë kjo festë një shkak për të shpalosur akoma më thellë ndjenjat e vullnetit të mirë, respektit të ndërsjellë dhe përpjekjes së përbashkët në realizimin e qëllimeve fisnike të familjeve tona”, shprehet kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
“Kurban Bajrami është festë e solidaritetit, të ndihmojsh dhe t’i japësh dorë atij që ka nevojë më së shumti është vyrtyt i njerëzimit”, ka shkruar mes tjerash kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
