Liderët politikë urojnë besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin

TË FUNDIT

Besimtarët myslimanë sot po festojnë festën e Fitër Bajramit.  Me këtë rastë liderët politikë nëpërmjet mesazheve në rrjetet sociale kanë uruar besimtarët myslimanë për Fitër Bajramin.

“Për fat të keq edhe këtë vit muajin e shenjtë të Ramazanit e kaluam të ngarkuar me pandeminë e kovid-19,në një atmosferë jo të zakonshme, të ballafaquar me kufizime të shumta dhe me masa të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit tonë dhe të jetës sonë. Ju faleminderit për qëndrueshmërinë, kujdesin dhe disiplinën. Shpresoj se të pasuruar me fuqinë shpirtërore të cilën e jep Ramazan Bajrami edhe mandej do të mbetemi të përkushtuar, të përgjegjshëm dhe solidarë dhe do të dalim si fitimtarë në luftën me epideminë, fundi i të cilës, falë vaksinimit të filluar, tashmë po duket. “Të mbetemi të bashkuar dhe së bashku të kontribuojmë në mirëqenien e të gjithë bashkëqytetarëve tanë pa dallim nga përkatësia e tyre fetare, etnike ose cilado përkatësi, duke ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe prosperitet për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, potencoi shefi i shtetit, Stevo Pendarovski.

“Për Fitër Bajram Ju dërgoj urime të sinqerta për shëndet të mirë, gëzim dhe paqe, suksese, fitore personale dhe kolektive. Kjo festë e përkushtuar ndaj mirësisë, dashurisë dhe faljes ndahet me të afërmit. Këtë vit na u zvogëlua numri i njerëzve të cilët na rrethojnë, por mund të ndajmë një fjalë të mirë, ndihmë, buzëqeshje dhe besim se jemi më afër tejkalimit të të gjitha sfidave që na i solli pandemia. Ju uroj ditë të bukura festive të përmbushura me momente të lumtura dhe të hareshme me të afërmit dhe të dashurit e Juaj”, thekson kryeparlamentari Talat Xhaferi.

“Në periudhën kur e gjithë bota përballet me vështirësi, edhe këtë vit Muaji i shenjtë i Ramazanit, muaji më i lumtur dhe më fisnik për ju qytetarët e besimit islam, e festojmë në kushte më ndryshe me kufizime të cilat i solli  pandemia e koronavirusit Kovid-19. Fundi i agjërimit dhe përfitimet e fituara gjatë muajit të përmbajtjes, le t’u zbukurojnë me frymë të durimit dhe bujarisë. Të përballemi me sfidat, të cilat i sjell kjo krizë globale shëndetësore-ekonomike, të udhëhequra nga dëshira për respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe solidaritet”, tha Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

“Kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj Gëzuar Fitër Bajramin duke ju dëshiruar fillimisht shëndet dhe mbarësi në familjet e juaja.

Muaji i shenjt i Ramazanit dhe Fitër Bajrami na përkujtojnë dhe na rikthejnë tek vlerat më të mira njerëzore mbi të cilat reflektojmë me gjithë qenien tonë përgjatë gjithë muajit të agjërimit.

Uroj agjerim të pranuar dhe festë të mbarë e të begatë.

Qofshim më të mirë për veten, për njëri tjetrin dhe për gjithë shoqërinë tonë”, shkruan Ali Ahmeti – Kryetar i BDI-së.

“Është kjo festa jonë që thyen muret e egoizmit dhe krijon afërsinë më reale dhe me të natyrshme mes njerëzve duke e rritur besimin dhe vetëdijen tonë për të qëndruar më pranë Zotit dhe ndaj atyre që kanë nevojë për ne!

Mes vështërsive, forca e besimit kthehet në shpresë dhe kurajo me plot solidaritet për paqe e harmoni me njëri tjetrin!

Më lejoni që në emrin tim dhe të Aleancës për Shqiptarët të gjithë besimtarëve musliman t’ju uroj Fitër Bajramin duke ju uruar shëndet, mbarësi dhe ngrohtësi në familjet e juaja”, theksoi Ziadin Sela – Kryetar i Aleancës për Shqiptaërt.

“Bajrami i këtij viti na vjen përsëri duke na përgëzuar për suksesin e arritur gjatë Ramazanit, duke na e sjellë buzëqeshjen e lumtur të festës, por edhe duke na i ndërmendur dhimbjet e ndarjet që i kemi pasur gjatë këtij viti.

Dhe, në këtë ditë feste, derisa urojmë nga zemra, t’i kujtojmë edhe ato sofra që sot janë të vobekta jo vetëm për nga modestia e ushqimeve, por edhe për nga mungesa e njerëzve që ndërkohë i përcollëm për në botën tjetër.

Bajrami është festë e vizitave, dashurisë dhe harmonisë. Andaj, këto ditë mos u kurseni, shpërndajeni gjithkund këtë gëzim”, theksoi mes tjerash Afrim Gashi –Kryetar i Alternativës.

“Lutjet tona le të ngrihen mbi besimin dhe adhurimin e sinqertë. Agjërim të pranuar, e lutje të realizuara. Gëzuar Festën e Fitër Bajramit – paqja, dashuria dhe toleranca le ta zbukurojnë të ardhmen tonë”, shkruan kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

“Kjo festë karakterizohet me solidaritet dhe devotshmëri, veti të cilat na bëjnë më të fortë për të mos devijuar nga rruga e drejtë dhe besimi duke vazhduar me angazhimet e mëtejshme si dhe me kultivimin e vlerave tona fetare dhe kombëtare”, potencoi Menduh Thaçi – Kryetar i PDSH-së.

“Këtë kohë të sfidave, varfërisë dhe problemeve të përbashkëta mund ta tejkalojmë nëse jemi të bashkuar dhe nëse tregojmë se me mirëkuptim, bashkëpunim dhe tolerancë mund t’i tejkalojmë  të gjitha pengesat njejtë sikur nëpër shekuj  prapa e kemi bërë. Maqedoninë ta ndërtojmë gurë më gurë, tullë për tullë, si shtëpinë tonë  dhe ta mbrojmë nga dështimi  drejt së cilës e çon pushteti aktual. Të gjithë ne kemi përgjegjësi të kujdesemi për çdo njeri në atë shtëpi të ketë prosperitet dhe perspektivë. Ta ndërtojmë atë perspektivë këtu, të sigurojmë prosperitet për ne dhe për brezat tanë këtu. Të jemi solidarë njëri me tjetrin, por edhe të përkushtuar ndaj suksesit, sepse suksesi i secilit është parakusht për sukses të Maqedonisë. Urime festën, Fitër Bajramit”, citohet në urimin e Mickovsit. 

TË NGJAJSHME