Lëvizja Demokratike shënoi një vjetorin / Mexhiti: Nuk do të ketë amnisti për korrupsionin politik

TË FUNDIT

Kryetari i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti, në një vjetorin e themelimit të partisë, tha se para një viti shumë gjëra dukeshin të pamundura dhe të parealizueshme, por sot, siç shtoi, LD është e shtrirë në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij demokracia është rivendosur dhe se regjimi po i hedh shkelmat e fundit para rrënimit të plotë.


“Para një viti ndryshimi politik dukej utopi, infrastruktura partiake vendosën nëpër institucione, prokurori, gjyqësor të vënë nën urdhrat partiake, mbretëria mediatike e përbërë nga portale fiktive me seli nëpër ministritë e propagandës, pak kujt i jepnin shpresë se ndryshimi është i mundur. Por sot një vit më vonë demokracia është rivendosur, regjimi i hedh shkelmat e fundit para rrënimit të plotë të tij”, tha Izet Mexhiti, kryetar i LD-së.
Vetëm 2 muaj nga formimi i Qeverisë ndryshimet kanë filluar, tha Mexhiti, duke shuar se klikës së vjetër kjo gjë i pengon.


“I pengon sepse nuk do të ketë amnisti për korrupsionin politik, I pengon sepse do të ketë përgjegjësi për bashkëjetesën e krimit me politikën, I pengon sepse do të ketë hetim të paanshëm të secilit projekt madhor, infrastrukturor për të cilat janë paguar provizione të majme, I pengon sepse perandoria e bixhozit ka filluar të rrënohet, I pengon sepse do të demaskohet mashtrimi i popullit që kanë bërë për 20 vite”, shtoi Mexhiti.
Mexhiti në fund porositi se përpjekjet e opozitës për të inskenuar kriza e pakënaqësi do të hasin në vesh të shurdhur. Sipas tij europionizmi i shoqërisë tashmë ka filluar dhe se nuk ka kush e ndalë.