Letra e Agelerit shkakton rrëmujë në Këshillin Gjyqësor/ E shkarkojnë kryetaren, ajo thotë se Këshilli është shndërruar në anarki

TË FUNDIT

Letra plot kritika për gjyqësorin që ambasadorja amerikane Angela Ageler e dërgoi nëpër institucione, shkaktoi përplasje në seancën e Këshillit Gjyqësor. Gjykatësit nisën të akuzojnë njëri-tjetrin se kush mund ta ketë fajin për këtë ndërsa seanca në fund u mbyll me shkarkimin e kryetares Vesna Dameva. Shtatë anëtarë të këshillit ngritën duart për shkarkimin e saj pasi këtë më parë e kërkoi nënkryetari i këshillit, Selim Ademi.

 https://www.youtube.com/watch?v=89SZvtu9cSk

-Propozoj që propozimi im të vihet në votim. Kush është për shkarkimin e kryetares Vesna Dameva, le të ngritë dorën. Kërkoj nga shërbimet të numërojnë.

 

Kryetarja tanimë e shkarkuar Vesna Dameva u shpreh se ky vendim është joligjor dhe se më të kënaqur me këtë do të jenë individë të caktuar të politikës. Sipas saj, Këshilli është shndërruar në anarki.

 

Ky vendim është joligjor dhe si duket duhet të përmbushen dëshirat e dikujt. Vendim i sjellë në këtë mënyrë në prezencë të kryetarit të Këshillit Gjyqësor me votimin e shtatë personave e ku nuk ka bazë për shkarkimin nga ana e Këshillit Gjyqësor e madje nuk ka as numër të nevojshëm të votave e nënkryetari mori të drejtën të konstatojë ndërprerje të funksionit Kryetar Këshilli. Unë me të vërtetë nuk e di si do të përfundojë ky epilog përpos që individë të caktuar nga politika do të jenë aq shumë të kënaqur nëse kjo realizohet. Kjo tanimë është anarki, Këshilli Gjyqësor u shndërrua në anarki!”- deklaroi Vesna Dameva, Kryetare e Këshillit Gjyqësor.

 

Këtij epilogu i parapriu debat i ashpër mes anëtarëve të këshillit ndërsa gjykatësja Meri Radevska bëri thirrje që gjithsecili ta bëjë punën me përgjegjësi. Kryeministri Dimitar Kovaçevski ndërkohë komentoi letrën e Ageler duke u pajtuar se me të vërtetë disa lëndë po zvarriten dhe po dërgohen nga instanca të larta në ato më të ulëta.

“Ajo letër përmban raste të ndryshme për të cilat unë mund të them që për fat të keq po zvarriten. Procedura disa herë shkon me kthim nga instanca më të larta në ato më të ulëta. Këto janë çështje për gjykatësit të cilët punojnë dhe menaxhojnë me punën e gjykatësve. Ne si Qeveri gjithnjë kemi thënë se jemi në dispozicion për përparimin e jurisprudencës në pjesën e të gjitha ligjeve të cilat duhet të bëhen dhe e dini se tanimë kemi kod të ri penal të cilën e sollëm gjatë muajve të kaluar.”- tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

 

Edhe presidenti Stevo Pendarovski u shpreh se kjo gjendje dhe këto kritika nuk janë diçka e re por kanë qenë të pranishme prej më herët.

 

Sa i përket letrës të cilën ambasadorja amerikane e ka dërguar te institucionet tona, mund të komentoj vetëm për shkrimet nëpër media të cilat i kam lexuar. Supozoj se bëhet fjalë për përshkrim të gjendjes dhe kritika të gjendjes në pjesën e gjyqësisë, për atë se ambasadorja amerikane po e flet tanimë disa muaj por nuk mund të flas në detaje sepse letër të tillë tek ne nuk ka arritur.”- pohoi Stevo Pendarovski, President.

 

 

Përndryshe Ageler më 11 prill ka dërguar letër deri te organet ekzekutive dhe gjyqësore ku ka shprehur brengën e saj për vendimet e fundit të Gjykatës së Apelit të kthejë në rigjykim lëndë të profileve të larta. Sipas saj, kjo lojë prej ping-pongu duke shëtitur lëndët nga një gjykatë në tjetrën, e ulë edhe më tej besimin në gjyqësi.