Shefi i operativës në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq, ka bërë të ditur për KosovaPress se policia ka bastisur para pak çastesh lokalin ku ka ndodhur incidenti i mbrëmshëm në Leposaviq, duke arrestuar një person të dyshuar dhe konfiskuar një armë automatike.
Sipas tij, bastisjet nga ana e policisë do të vazhdojnë edhe nëpër lokacione tjera, deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti.
………………………………
Leposaviq: Plagoset një femër, një tjetër i lënduar rëndë
Jelena Radosavleviq rreth 20 vjeçare nga Leshaku, është plagosur me armë zjarri mbrëmë pas mesnate në kafeterinë ‘Mistik’ në Leposaviq, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Sipas këtyre burimeve, persona të panjohur kanë shtënë me armë në drejtim të viktimës, duke ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Nuk dihet motivi i këtij sulmi, ndërsa viktima që ndodhet në spitalin e veriut të Mitrovicës është jashtë rrezikut për jetë.
Burimet më tej kanë shtuar se pronari i kafeterisë në fjalë ku ka ndodhur incidenti është njëri nga narko-bosët e veriut, Nemanja Jevremoviq, njëherit mik i afërt me kryebosin e krimit në veri, Zvonko Veselinoviq.
“Mbrëmë në Leposaviq përveç të shtënave me armë dhe plagosjes së një femre, ka pasur edhe rrahje masive në mes të disa personave në qytet që ka zgjatur rreth 15 minuta, me ç’rast është lënduar rëndë vëllai i një pjesëtari të Policisë së Kosovës, Miodrag Janiçijeviq”, kanë thënë burimet.
Në anën tjetër, shefi i operativës në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq, ka konfirmuar për KosovaPress të shtënat dhe plagosjen e një femre që kanë ndodhur mbrëmë në Leposaviq.
Sipas tij, personat kanë shtënë në drejtim të viktimës nga një automjet në lëvizje, ndërsa policia është duke punuar intensivisht në këtë drejtim, dhe është afër kapjes së autorëve të mbrëmshëm
