LEN nënshkroi deklaratë për bashkëpunim, në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të garojnë bashkë

TË FUNDIT

Lidhja Europiane për Ndryshim e përbërë nga Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike, mbrëmë në ditën e flamurit nënshkruan deklaratën e koalicionit, duke vendosur që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale të garojnë së bashku. Sipas deklaratës së nënshkruar, shtyllat e tyre programore do të jenë anëtarësimi në BE, luftimi i korrupsionit, zhvillimi në arsim, barazi mes maqedonasve dhe shqiptarëve, zhvillimi rajonal e të tjera. Kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti, tha që bashkimi i tyre lindi si antipod i krizës në të cilën ka rënë shoqëria shqiptare. Janë të bindur se do t’i fitojnë zgjedhjet parlamentare.

Lidhja Europiane për Ndryshim lindi si një antipod i krizës në të cilën ka rënë shoqëria shqiptare. Lidhja lindi për t’u bërë zëri i të gjithë atyre që nuk kanë adresë se ku të raportojnë korrupsionin, i atyre që u degraduan në vendin e punës dhe që nuk mendojnë siç thotë partia. I atyre që presin mëshirën e partisë, për të zgjidhur problemet elementare para se të vendosin të shpërngulen. LEN paraqet bashkim të mirëfilltë të njerëzve të ndershëm të cilët përpiqen të mbijetojnë në këtë kohë të pa kohë”, tha Izet Mexhiti, kryetar i LD.

Temë e fjalimeve mbrëmë ishte edhe integrimi në Bashkimin Europian. Kreu i Alternativës Afrim Gashi, porositi që eurointegrimi nuk bëhet përmes amnistimit të Gruevskit.

Ne jemi këtu të deklarojmë se integrimi në Bashkimin Europian është synimi parësor i koalicionit LEN. Zaten, çfarë kuptimi do të kishin ndryshimet nëse ata nuk do të jenë europiane. Nëse ata besojnë se integrimi europian bëhet edhe duke amnistuar Nikolla Gruevskin dhe kriminelët e listave të zeza, ne kemi dallime të patejkalueshme. Në atë mënyrë, ata mund të integrohen në ndonjë Union tjetër por jo në Unionin që e synojmë ne, në Bruksel”, theksoi Afrim Gashi, kryetar i Alternativa.

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, siguron që pas zgjedhjeve, qeveria aktuale do të shndërrohet në opozitë të shpartalluar.

Bashkohemi, sepse shqiptarët e MV meritojnë përfaqësim autentik. Ndërsa ne do të luftojmë për barazi të plotë pasi qytetarët janë ata që duhet të jenë të barabartë e jo bizneset e politikanëve të korruptuar. Prej këtu garantojmë se pas gjashtë muajsh qeveria aktuale do të jetë opozitë e shpartalluar ndërsa ne si pjesë e qeverisë në koordinim me SHBA-të dhe institucionet më të larta të BE-së do t’i zhbllokojmë proceset eurointegruese pas çka me hapa të shpejtë do të ecim drejt anëtarësimit në BE”, pohoi Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Përndryshe sipas deklaratës së nënshkruar, Lidhja Europiane për Ndryshim do të kandidojë me emër të përbashkët në zgjedhjet presidenciale si dhe me listë të përbashkët për deputetë në zgjedhjet parlamentare.