Pele, mbreti brazilian i futbollit i cili fitoi tre Kampionate Botërore dhe u bë një nga figurat më të shquara në sport shekullin e kaluar, ndërroi jetë të enjten. Ai u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare.
Ai mjekohej nga kanceri në zorrën e trashë që nga viti 2021. Muajin e fundit ishte hospitalizuar për shkak të më shumë sëmundjeve.
Agjenti i tij Xho Fraga konfirmoi lajmin për vdekjen e tij.
Pele konsiderohet një nga futbollistët më të mëdhenj. Ai kaloi gati dy dekada në fushën e futbollit, duke mahnitur tifozët, por edhe kundërshtarët me lëvizjet e tij.
Ai është golashënuesi më i mirë i klubit brazilian “Santos” dhe i kombëtares braziliane.
Me lehtësinë e tij duke luajtur, atletizmin dhe lëvizjet hipnotizuese i hutonte lojtarët dhe tifozët. Ai orkestroi një stil të shpejtë dhe të rrjedhshëm që revolucionarizoi sportin – me një dukje të ngjashme me samba që personifikonte elegancën e vendit të tij në fushë.
Ai e çoi Brazilin në majat e futbollit dhe u bë ambasador global gjatë rrugëtimit të tij që filloi në rrugët e Sao Paolos, duke luajtur me një çorap të mbushur me gazeta ose lecka.
Kur përmenden më të mëdhenjtë, përveç Peles, këtu janë edhe emrat Diego Maradonas, Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos.
Lojtari i cili do të quhet “mbret”, para botës u prezantua në moshën 17-vjeçare në Kampionatin Botëror në vitin 1958 në Suedi dhe është lojtari më i ri ndonjëherë në fushë. Ai nga tereni u nxor në supet e bashkëlojtarëve të tij pasi shënoi dy gola në fitoren e Brazilit me rezultat 5-2 kundër vendit nikoqir në finale.
Imazhi i Peles në botë, me një fanellë të verdhë të Brazilit, me numrin 10 në shpinë, mbetet i gjallë te tifozët e futbollit në mbarë botë.
Fama e Peles ishte që në vitin 1967, fraksionet e luftës civile të Nigerisë ranë dakord për një armëpushim të shkurtër, në mënyrë që ai të mund të luajë një ndeshje në vend.
Futbolli (zgjat) 15 vjet. Kur ndalemi së luajturi, në 34, 35 dhe atëherë ju keni një jetë të tërë për të vazhduar. Dua të shoh nëse mund të jap më shumë nga vetja ime për familjen time. Unë po kujdesem për biznesin tim – pothuajse kurrë nuk jam në Santos – dhe më duhet të vazhdoj me punën time në bankë, kishte thënë Pele.
Ai u shpall kalorës nga Mbretëresha e Britanisë Elizabet II në 1997. Kur e vizitoi Uashingtonin për të ndihmuar në promovimin e lojës në Amerikën e Veriut, ishte presidenti i SHBA-ve ai që i zgjati dorë i pari.
Të gjithë e dinë që e kam kaluar momentin më të rëndësishëm dhe më të trishtuar të jetës sime. Më vjen shumë, shumë keq, që do të ndalem ta bëj atë që më pëlqen më shumë në jetë, të luaj futboll, kishte thënë Pele.
Jeta e Peles pas futbollit ishte e llojllojshme. Ai ishte politikan – ministër i jashtëzakonshëm i sportit i Brazilit, biznesmen i pasur dhe ambasador i UNESCO-s dhe Kombeve të Bashkuara.
Ai pati role në filma, opera dhe madje kompozoi këngë dhe incizoi një CD me muzikë popullore braziliane.
Me përkeqësimin e shëndetit të tij, udhëtimet dhe paraqitjet e tij u bënë më të rralla. Kohët e fundit ai është parë shpesh në karrige me rrota dhe nuk mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të statujës që përfaqësonte skuadrën e Brazilit në Kupën e Botës 1970. Pele e kaloi ditëlindjen e tij të 80-të i izoluar me disa anëtarë të familjes në një shtëpi në plazh.
Ai lindi si Edson Arantes do Nasimento, në qytetin e vogël Tres Korakoes në brendësi të shtetit Minas Zherais më 23 tetor 1940.
