U mbajt konferenca me temë luftën kundër dezinformacioneve, e titulluar “Kërcënimet hibride dhe dezinformuese – nga identifikimi deri te reagimi kombëtar sistemik”, përcjell TV21. Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Methju Louson, theksoi se është tejet e rëndësishme që qytetarët të kenë qasje në informacion të saktë, ndërsa kryeministri Mickoski deklaroi se dezinformacionet janë armë e atyre që duan të destabilizojnë rajonin.
“Ne besojmë se është me rëndësi të madhe që qytetarët të kenë qasje në burime të sakta informacioni, dhe kjo është një përbërës thelbësor i partneritetit që ne kemi, për të cilin edhe e organizojmë këtë konferencë. Informacioni është i rëndësishëm për demokracinë, ndërsa dezinformacionet e minojnë besimin mes qytetarëve dhe qeverisë. Prandaj, ne – sërish si partnerë në NATO – konsiderojmë se duhet të marrim pjesë së bashku me Qeverinë dhe kryeministrin në këtë betejë”, tha Matthew Lawson – Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar.
“Dezinformacionet janë në thelb armë e atyre që nuk duan të shohin një rajon të qëndrueshëm, që nuk duan të shohin shtete stabile, dhe nëpërmjet këtij ndikimi synojnë të destabilizojnë të gjithë rajonin. Lajmet e rreme janë gjithashtu pjesë e këtij lloji dezinformimi. Prandaj ngjarje të tilla përbëjnë një vlerë të shtuar për cilësinë e informimit të qytetarëve”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryeministër .
