Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar menjëherë për lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të ish-liderit historik të Partisë Socialiste në Shqipëri, njëherë edhe ish-kryeministrit shqiptar, Fatos Nano.
“Lamtumirë kryetar”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook, teksa e shoqëron me një foto të Fatos Nanos.
Fatos Nano u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare. Ai ishte i shtruar prej disa ditësh në një spital privat në Tiranë, ku po trajtohej për probleme shëndetësore.
Ish-kryeministri prej kohësh vuante nga probleme me mushkëritë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ditët e fundit.
Kujtojmë se dy vite më parë, ish-kreu i Partisë Socialiste u përball me probleme shëndetësore si pasojë e probleme të frymëmarrjes. Ai iu nënshtrua dhe një ndërhyrje kirurgjikale si pasojë e sëmundjes Pulmonare Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si SPOK.
Gjatë kohës që ishte në spital, Nano u nderua nga Kryeministri Edi Rama me medaljen e mirënjohjes publike.
Fatos Nano ka shërbyer si kryeministër i Shqipërisë me Partinë Socialiste. Ai është themeluesi i PS-së, parti të cilën e udhëhoqi deri në vitin 2005, kur dhe vendosi të largohej nga politika.


