Për herë të parë si vend anëtar i NATO-s, Maqedonia e Veriut organizoi konferencën për komunikatorë, e cila ka mbledhur rreth 300 persona që do të ndjekin panele kushtuar komunikimeve strategjike. Në hapjen ishte edhe kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, i cili theksoi se komunikimet dhe sfera e informacioneve asnjëherë nuk kanë qenë më të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin.
“Konsideroj se në epokën e dezinformatave dhe sulmeve hibride, janë pikërisht komunikimet strategjike ato që luajnë rolin më të rëndësishëm në luftë dhe arrijnë tek qytetarët informacione të sakta dhe të verifikuara, në krahasim me dezinformatat, qëllimi i të cilave është të ngjall trazira dhe frikë. Pushtimi ushtarak i Ukrainës nga Rusia dhe rritja masive e dezinformatave rreth saj na ka treguar se komunikimet mund të kenë një ndikim serioz destruktiv dhe ne duhet të luftojmë kundër një ndikimi të tillë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, u shpreh se përhapja e gënjeshtrave është gjithmonë mënyra më e lehtë për të arritur dhe ndikuar tek publiku, ndërsa efektet e gënjeshtrave janë shkatërruese.
“I dimë rreziqet nga manipulimet dhe lajmet e rrejshme, prandaj jemi në proces të formimit të Qendrës për Marrëdhënie me Publikun, qëllimi kryesor i së cilës do të jetë lufta me dezinformacionet. Në formën e tanishme, shumica nga ju e njihni si Qendra Rajonale për Marrëdhënie me Publikun por i njëjti do të marrë funksione dhe përgjegjësi shtesë me fokus në përballje me lajmet e rreme dhe dezinformatat që janë të pranishme veçanërisht në këtë pjesë të Evropës dhe Maqedoninë e Veriu”, theksoi Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.
Në hapje të Konferencës folën edhe ndihmësja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për Diplomaci Publike, Baiba Brazhe, ndërsa video paraqitje pati edhe komandanti i Komandës së Operacioneve Aleate, gjenerali Kristofer Kavolli dhe komandanti i Komandës Federale të Transformimit , gjenerali Filip Lavinj.
