Lajm i mirë për diasporën në SHBA – Western Union së shpejti në lokacionet e marketeve Walmart

TË FUNDIT

Shërbimet globale të Western Union do të jenë të disponueshme në lokacionet e marketeve Walmart në mbarë SHBA-në ndërsa bashkëpunimi pritet të fillojë në pranverën e këtij viti.

Walmart është zinxhiri më i madh dhe më i njohur i marketeve në SHBA dhe ka më shumë se 2.2 milion punëtorë në të gjithë botën – gati 1.5 milion vetëm në SHBA. Walmart është njëkohësisht edhe kompania më e madhe në botë për shitje me pakicë.

Miliona amerikanë mbështeten në strategjinë transparente të Walmart që ofron produkte dhe shërbime me çmime konkurrente. Me zgjerimin e shërbimeve Western Union, klientëve të Walmart do t`u ofrohen më shumë zgjidhje, komoditet dhe qasje në shërbimet e reja, sepse Walmart është shumë më tepër sesa një vend ku klientët blejnë. Për miliona njerëz gjithashtu është një vend që ata i besojnë edhe për nevojat e tyre financiare.

“Ne jemi të entuziazmuar që së shpejti fillojmë të ofrojmë shërbime të transferimit të parave Western Union në lokacionet Walmart dhe së bashku vazhdojmë të lidhim familjet dhe miqtë në mbarë botën përmes platformës globale Western Union” – thonë nga Walmart.

Prezenca në zinxhirin e Walmart që është një vend i preferuar për të bërë pazaret ditore për të gjithë amerikanët e lehtëson edhe qasjen e bashkëvendasve tanë me banim në SHBA tek lokacionet e Western Union, duke ditur se ata rregullisht japin përkrahje financiare për familjarët e tyre në vendlindje.