Laborator i biologjisë molekulare së shpejti pritet të fillojë me punë

TË FUNDIT

U nënshkrua marrëveshje për hapjen e laboratorit të biologjisë molekulare, ku do të kryhen analiza për pacientët me sëmundje onkologjike. Marrëveshjen e nënshkruan drejtori i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski, dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Davorin Trpevski.
Klekovski gjithashtu njoftoi futjen e diagnostikimit gjenetik para implantimit (PGD), një analizë që deri tani nuk është kryer në vend. Kjo analizë do të përdoret në procedurat in vitro për të përcaktuar nëse embrioni është i shëndetshëm para se të fillojë procesi i in vitros.

“Është rritur suksesi i shtatzënisë, sa është embrioni i shëndetshëm. Suksesi i in vitros është rritur, për momentin nuk punohet në Maqedoni, bëhet në disa vende të tjera. Duke pasur parasysh që është rritur nevoja e in vitros, gjithsesi duhet të mendojmë për suksesin e in vitros. E dini, i kemi rritur ndërhyrjet në shpenzimet e fondit, tani duhet të japim shërbime ku do ta rrisin suksesin e in vitros, me idenë e lindjes së fëmijëve të shëndetshëm”, tha Sasho Klekovski.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës, Davorin Trpevski, tha se për herë të parë në fakultet do të kryhen edhe aktivitete shëndetësore.

“Për herë të parë, Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Matematikës, përveç aktiviteteve shkencore dhe arsimore që po i kryen, prej sot, dmth në periudhën e ardhshme, do të fillojë të kryejë edhe aktivitete shëndetësore”, deklaroi Davorin Trpevski.

Laboratori pritet të fillojë punën menjëherë pas përfundimit të përgatitjeve teknike dhe prokurimit të materialeve të nevojshme.