Euro-deputeti, Ilhan Kyçyk dhe njëkohësisht raportuesi për Maqedoninë në parlamentin evropian, erdhi në vend për të inkurajuar për fillim të negociatave, por edhe me porosi për reforma sa më të thela të nevojshme për anëtarësim në BE. Në lidhje me kontestin me Bullgarinë, porositi se nuk ka bisedë të lehtë për historinë dhe se ajo duhet t’i lihet historianëve, por shtoi se megjithatë vendimet janë politike.
“Çështjet bilaterale të zgjidhen me format bilateral. Përgjigjja ime gjithmonë ka qenë se historia duhet t’u lihet historianëve që duhet të diskutojnë për të në nivel profesional, ndërsa negociatat janë çështje politike, por pjesë e rëndësishme e secilës kornize janë marrëdhëniet e mira fqinjësore. Ne kemi nevojë nga kthimi i besimit për të ndërtuar marrëdhënie të përhershme ndër-fqinjësore për gjeneratat e ardhshme”, tha Ilhan Kyçyk – eurodeputet.
Maqedonia në çdo sferë i ka kryer detyrat e veta dhe meriton vlerësim të progresit, përkatësisht fillim të negociatave dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, i tha ministri Osmani euro deputetit. Ai tha se me Kyçyk kanë biseduar edhe për çështjet e hapura me Bullgarinë, ndërsa paralajmëroi se parlamenti i BE më 4 mars do të debatojë për vendin tonë.
“Vizita e sotme është e rëndësishme për ne, vijon votimi i draft rezolutës për RMV-në në Parlamentin Evropian më 4 mars, së pari në Komisionin për politika të jashtme ndërsa votimi në seancë plenare parashikohet që të mbahet në fund të marsit. Ne nuk presim asgjë më shumë se ajo që është realitet, se ajo që është e qartë. Republika e Maqedonisë së Veriut në të gjitha sferat i ka kryer obligimet e saj dhe meriton vlerësim të progresit të realizuar”, u shpreh Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Kyçyk është në vizitë dy ditore në vend, ku përveç me ministrin Osmani, do të takohet edhe me shefin e shtetit, Stevo Pendarovski, shefin e Parlamentit, Talat Xhaferi, kryeministrin, Zoran Zaev, ndërsa do të ketë takim edhe me kryetarin e opozitares DPMNE, Hristijan Mickoski, si dhe me parti tjera politike.
