Kuvendi shkarkoi 8 ministra!

TË FUNDIT

Kuvendi, sot, në seancën e 112-të, me propozim të kryeministrit Hristijan Mickoski, në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë, shkarkoi ministrat: për Drejtësi – Igor Filkov, për Bujqësi, Pylltari dhe Ekonomi të Ujërave – Cvetan Tripunovski, për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive – Igor Stoiljkoviq, për Shëndetësi – Azir Aliu, për Kulturë dhe Turizëm – Zoran Lutkov, për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini – Fatmir Limani, për Vetëqeverisje Lokale – Zlatko Perinski, si dhe Shaban Saliu nga pozita e ministrit pa resor.

Janë shkarkuar edhe zëvendësministrat për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini dhe për Kulturë e Turizëm, Gjoko Velkovski dhe Sedat Sulejmani.

“Që nga dita e parë, kur morëm përgjegjësinë, thashë se kjo Qeveri nuk do të jetë Qeveri e rehatisë, por Qeveri e rezultateve. Nuk do të jetë Qeveri në të cilën funksionet do të konsiderohen si e drejtë e fituar, por si obligim që çdo ditë duhet të merret përsëri. Kjo nuk ishte slogan politik, por parim. Sot tregojmë se ky parim vlen njësoj për të gjithë”, tha kryeministri Hristijan Mickoski, duke e arsyetuar propozimin për shkarkimin e anëtarëve të Qeverisë.

Në vend të Filkovit, për ministër të Drejtësisë pritet të zgjidhet Jeton Shaqivari (“VLEN”).

Igor Stoiljkoviq (koalicioni VMRO-DPMNE) do ta marrë postin e ministrit për Vetëqeverisje Lokale, ndërsa Zlatko Perinski do të marrë funksionin e drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor, ku aktualisht në krye është Sasho Klekovski (VMRO-DPMNE), i cili do të jetë ministri i ri i Shëndetësisë në vend të Azir Aliut.

Për ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive është propozuar Agon Ferati (“VLEN”).

Në vend të Cvetan Tripunovskit do të vijë Borçe Serafimovski (ZNAM), ndërsa në vend të Shaban Saliut, ministër pa resor, është propozuar Erxhan Demir (VMRO-DPMNE).

Në Kuvend vazhdon debati për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Qeverisë.