Kuvendi nuk i miraton ndryshimet e Kodit Zgjedhor, nënshkrimet për kandidatët e pavarur “ranë” në badenter

TË FUNDIT

Kuvendi në seancë urgjente nuk i miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me të cilat duhej të rregullohej pjesëmarrja e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet lokale që po afrojnë. Ndryshimet u modifikuan nga propozimi fillestar, numri i nënshkrimeve ra nga 0,95 në 0,5 për qind të zgjedhësve të regjistruar në listën zgjedhore të njësisë zgjedhore përkatëse. Por, edhe pse shumica ishte për këtë propozim, ndryshimet ranë në Badenter. Në pjesën e Kodit Zgjedhor që i përket zgjedhjeve, është i nevojshëm edhe votimi Badenter.

Deputetët e Frontit Europian gjatë seancës reaguan se ndryshimet janë në interes të partive në pushtet, jo të qytetarëve. Ata paralajmëruan se ndryshimet nuk do të kalojnë sepse nuk ka shumicë Badenter.

Me reagim pas seancës dolën edhe përfaqësuesit e pushtetit VLEN.

Paraprakisht, nënshkruesit e propozimit fillestar – grup deputetësh të udhëhequr nga Nikolla Micevski – e pranuan amendamentin e “Levicës”, duke ulur pragun për nënshkrime nga 0,95 në 0,5 për qind.

Edhe pse Kuvendi shkoi në pushim, pasi shpalli zgjedhjet lokale, gjithsesi u caktua një seancë urgjente ku ndryshimet në Ligjin e Zgjedhjeve duhej të miratoheshin me procedurë të shkurtuar. Me mos-miratatimin e tyre, mbetet e pasigurt nëse dhe si kandidatët e pavarur do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 19 tetor.