Me 67 vota “pro”, 13 “kundër” dhe asnjë abstenim, Kuvendi në seancën e sotme ka miratuar nevojën për procedurë të shkurtuar të Propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, me ç’rast zgjidhja ligjore kaloi fazën e parë të procedurës parlamentare.
Me këtë zgjidhje ligjore krijohen kushte për eliminimin e arsyeve objektive për të cilat ishte vendosur modeli i qeverisë kalimtare, përkatësisht teknike.
Zgjidhja e propozuar ligjore, me zbatim të shtyrë, sipas arsyetimit të propozuesit – Qeverisë, ka për qëllim të sigurojë stabilitet, siguri juridike dhe mbrojtje të interesit publik të qytetarëve përmes përmbylljes së plotë dhe të qëndrueshme të reformave të nisura.
Në arsyetim thuhet se, për shkak të nevojës për përdorim racional dhe të përgjegjshëm të financave publike, forcim të stabilitetit institucional dhe sigurim të legjitimitetit të plotë demokratik të Qeverisë si bartëse e pushtetit ekzekutiv të zgjedhur nga Kuvendi, me këtë ligj vendoset një kornizë e qartë ligjore që garanton zgjedhje të lira dhe transparente përmes institucioneve kushtetuese dhe ligjore, si dhe eliminon zgjidhjet e përkohshme të krijuara me marrëveshje politike në të kaluarën.
