Kuvendi britanik miratoi sot zgjatjen e masave emergjente për shkak të koronavirusit për gjashtë muaj të tjerë, duke lejuar kështu Qeverinë konservatore të kryeministrit Boris Xhonson të mbajë kompetenca të gjera për të kufizuar aktivitetet e përditshme.
Dhoma e Ulët e Kuvendit britanik ka votuar për zgjatjen e kompetencave të jashtëzakonshme të Qeverisë deri në shtator dhe ka miratuar planin e ekzekutivit për të lehtësuar gradualisht masat shtrënguese gjatë tre muajve të ardhshëm.
Në favor të zgjatjes së kompetencave të posaçme të Qeverisë, votuan 484 deputetë, ndërsa 76 votuan kundër.
Xhonson, megjithatë, po përballet me zemërim nga disa prej deputetëve të partisë së tij, të cilët thonë se kostoja e kufizimit do të tejkalojë përfitimet.
Në shkurt, numri i infeksioneve dhe vdekjeve në Britani të Madhe ra ndjeshëm, ndërsa në të njëjtën kohë kishte rritje të mprehtë në pjesën më të madhe të Evropës.
