Grupet parlamentare do të mblidhen në një komision ad hoc
Kuvendi i Kosovës ka arritur të gjejë konsensus rreth nismës së kryetarit, Kadri Veseli për themelimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.
Të gjitha grupet parlamentare janë pajtuar që të mblidhen së bashku, në një komision ad hoc, për të harmonizuar qëndrimet që më pas të votohet bashkërisht nisma për themelimin e tribunalit.
PSD-ja ka propozuar Dardan Molliqaj për anëtar të Komisionit, Enver Hoti nga Nisma, nga 6+ Duda Balje, PDK-ja ka propozuar Memli Krasniqi, LDK-ja Vjosa Osmani, VV-ja propozoi deputetin Sami Kurteshi, ndërsa AAK-ja ka propozuar deputetin Muharrem Nitaj.
Kryeparlamentari Kadri Veseli tha se pasi ka gatishmëri nga të gjitha grupet parlamentare, ka hedhur në votim kërkesën e GP të LDK-së dhe PSD-së që grupet parlamentare të harmonizojnë qëndrimet rreth Ditës së Gjenocidit, ndërtimit të muzeut të gjenocidit dhe muzeut të dëbimit.
Me 84 vota pro është votuar që këto katër pika të harmonizohen në rezolutën nga të gjithë anëtarë e grupeve parlamentare në Kuvend.
“Ka një propozim që këto pika të barten te Komisioni ad-hoc, seanca e vendos… Burgun e Prishtinës, pastaj vazhdoni kreativitetin dhe protagonizimin e vazhdojmë në rrethana të tjera”, tha Veseli.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës është duke vazhduar punimet me pikat e rendit të ditës./21Media
