VMRO-DPMNE-ja nuk e bllokon punën e Kuvendit, por ligjet që janë të dëmshme dhe ligjet të cilat LSDM-ja dëshiron t’i “kalojë”, tha deputeti i partisë opozitare Brane Petrushevski. Ai mbrëmë në emisionin “Click Plus” u pajtua se në interes të qytetarëve do të mbështesin dy ligje. I pari është Ligji për legalizim të ndërtimeve pa leje, për të cilin ishin pranuar vërejtjet e tyre, dhe i dyti është për Pakon e pestë të masave për ndihmë financiare për zbutje të dëmeve nga korona-kriza, i cili në Kuvend duhet të vijë më 23 mars.
“Ligji për ndërtimet pa leje e ceki… Kryeministri juaj Zoran Zaev tha se ky ligj është shembull pozitiv. Kemi biseduar ne partitë politike, vërejtjet tona konstruktive janë harmonizuar dhe janë pranuar pjesërisht dhe ju nuk e vendosët ligjin në votim. Unë tani po Ju pyes – a nuk e vendosni në votim sepse funksionarët tuaj ose funksionarët në pushtet po ndërtojnë ndërtime pa leje dhe po prisni që të përfundojnë, e pastaj ta vendosni në rend dite për votim”, tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE
Por, VMRO-DPMNE-ja nuk do ta mbështesë Ligjin e ri për Qendrën Klinike. Arsyeja për këtë, siç thotë Petrushevski janë disa nene nga propozim-ligji të cilat bllokojnë disa ligje ekzistuese.
“Z.Venko FIlipçe ju thirri dhe ju tha – le të shohim së bashku për çka bëhet fjalë, ta ndryshojmë dhe të punojmë, por mos bllokoni. Tani, hajde më tregoni ju mua sepse jeni anëtar i partisë politike e cila ka dorëzuar gjithsej 2029 amendamente, më tregoni për një amendament që e keni paraqitur dhe i cili është konstruktiv”, deklaroi Darko Kaeski nga LSDM.
Prej këtyre?
Darko Kaeski: 2029
Brane Petrushevski: Për Qendrën Klinike?
Darko Kaeski: “Po”.
Brane Petrushevski: “Unë ju thashë edhe më parë se amendamentet janë për ta bllokuar ligjin”.
Darko Kaeski: “Ashtu tregoni pra”.
Brane Petrushevski: “Absolutisht po Ju them se janë për ta bllokuar ligjin”.
Darko Kaeski: “Unë e di se janë për bllokim, këtë duhet t’ua thoni qytetarëve”.
Megjithatë, në Kuvend ka ligje të shumta të cilat presin të votohen. Por, për shkak të koronavirusit, disa deputetë të LSDM-së janë në shtëpi, kurse për momentin nuk kemi rregullativë me të cilën lejohet që seancat të mbahen online dhe për këtë arsye shumica nuk ka numër të mjaftueshëm deputetësh.
VMRO-DPMNE-ja nuk dëshiron të krijojë kuorum për votim, prandaj situata është “status kuo”. Nëse këtu shtohen edhe mijërat amendamente që i ka dorëzuar ASH-AAA, për shkak të, siç thonë, bllokimit të ligjit të tyre për shtetësi, më me siguri çështja e bllokadës së Kuvendit do të zgjidhet në një takim liderësh apo me ndonjë ndërmjetësues ndërkombëtar.
