Kushtetuesja në Shqipëri kundërshton bllokimin e diplomave për studentët e Mjekësisë

TË FUNDIT

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri pranoi pjesërisht të enjten një kërkesë të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, duke shfuqizuar disa nene të ligjit që i detyronte ata të punonin në Shqipëri deri në pesë vjet pas diplomimit.

Sipas Gjykatës, dispozitat e kundërshtuara nga studentët, sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, por ky kufizim ka ardhur për shkak të interesit publik, për të garantuar kujdes shëndetësor.

Ky institucion e ka cilësuar si joproporcional afatin e vendosur nga Qeveria, për ‘mbajtjen peng’ të diplomës, me kërkesë të punës së detyrueshme për pesë vjet.

“Afati pesëvjeçar (i parashikuar nga neni 4 i ligjit) rezulton më i ashpër sesa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati pesëvjeçar nuk është proporcional, dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera trevjeçare dhe dyvjeçare, të përcaktuara në të njëjtin nen”, është thënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.