Kush qëndron prapa protestave kundër paraleles shqipe në Çashkë? Ferati dyshon te kryetari i komunës, Stojanovski mohon

TË FUNDIT

Prindërit e nxënësve maqedonas të cilët ndjekin mësimin në shkollën fillore Todor Janev në Çashkë, edhe më tej vazhdojnë bllokimin e mësimit në këtë shkollë. Ata këmbëngulin se drejtoresha e shkollës ka hapur paralelen shqipe duke mos respektuar statutin shkollor. Siç njofton ministri i arsimit Jeton Shaqiri, ata dje në takim me të kanë kërkuar që ata nxënës të mësojnë në fshatin Slivnik që ndodhet rreth 11 kilometra larg Çashkës. Këtë ministri nuk e pranon.

“Pika e tyre e fundit ishte që nëse ato fëmijë dëshirojnë të vazhdojnë në gjuhën shqipe, duhet të vazhdojnë në fshatin Slivnik i cili është në komunën e Velesit. Unë nuk pranoj asnjë lloj kërkese. Përderisa ajo që është e drejtë kushtetuese e gjithësecilit, e garantuar në atë shkollë, dua të apeloj të gjithë qytetarët e vendit, se ato fëmijë nuk janë as me subjekte politike, nuk dinë as për partitë politike, as për zgjedhje parlamentare as për zgjedhje lokale, që dikush të ndalojë të drejtën e tyre kushtetuese për të mësuar në gjuhën shqipe”, tha Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit.

Drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Halit Ferati, dyshon se këto protesta organizohen nga kryetari i komunës së Çashkës, sepse siç thotë, në krye të protestave qëndron shoferi i tij, Negovan Nikoliq.

“Pasi që aty protestojnë njerëz të cilët janë nëpër organet e komunës. Lindë dilema që shumë herë e them se këtu ka të bëjë që kryetari i komunës është organizatori i gjithë bllokimit të procesit. Edhe njerëzit përfaqësues të subjektit politik VMRO. Gjysmën e protestuesve i njoh me emra dhe mbiemra. Personi në fjalë është Negovan Nikoliq, është shofer i kryetarit të komunës. Ndër organizatorët dhe bllokimit të paraleles”, theksoi Halit Ferati – Inspektorati i Arsimit.

Sipas Feratit, këta protestues kanë mbajtur takime të fshehta në manastirin e Çashkës ndërsa një pjesë e tyre punojnë edhe në komunë.

Nga ana tjetër kryetari i komunës së Çashkës Goran Stojanovski i mohon deklaratat e Feratit. Ai për Televizionin 21, thotë se personalisht është pro hapjes paraleles shqipe, mirëpo në përputhje me ligjin.

“Joo! Si mundet një gjë e tillë? Kjo është jashtë mendjes së shëndoshë. As unë as komuna. Sinqerisht unë më së shumti dua të zgjidhet problemi mirëpo sipas ligjit.  Negovan Nikoliq nuk është shofer i im. Shoferi i vetëm në komunë është Sashko Tanevski”, deklaroi Goran Stojanovski – Kryetar i komunës Çashkë.

Përndryshe i gjithë problemi dhe arsyeja e protestave është pse paralelja shqipe është hapur duke mos e pyetur këshillin e prindërve. Ministri Shaqiri bën thirrje që statuti i shkollës të harmonizohet me ligjet që dalin nga Kushtetuta.