KUSH JANË MINISTRAT E RINJ? KULTURA PËR 2 VJET, TRE MINISTRA, I FUNDIT ËSHTË NJË MJEK

TË FUNDIT

Në dy vite qeveri, tre ministra të Kulturës.

I sapoemëruari Hysni Ismaili sot për herë të parë u ul në kolltukun e ministrit.

Ndonëse vjen nga fusha e mjekësisë, ndërsa është edhe profesor në USHT, pohon se ka një lloj përvoje në kulturë.

“Kam marr pjesë në redaktimin dhe botimin e librave në shtëpi të ndryshme botuese, në programe të radios dhe video programe, dokumentarë të ndryshëm, në shoqata të ndryshme kulturore e kështu me radhë”, deklaroi Hysni Ismaili, ministër i ri i Kulturës.

Ministri i deritanishëm Asaf Ademi, nga posti u tërhoq për shkaqe shëndetësore. Gjatë dorëzimit të detyrës i tha ministrit të ri se dikasterin po ia lë mirë financiarisht.

“Kur unë e mora detyrën, fjalë e parë që mu tha ishte nuk ka para. Tash i them ministrit se buxheti është i konsoliduar dhe ashtu siç është i paraparë nga një borxh prej 20 milion euro ne e kemi paraparë që të dalim me zero denar borxh në fundvit”, u shpreh ish ministri i Kulturës, Asaf Ademi.

Pranim-dorëzimi i ministrisë u bë edhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Sadulla Duraku i dorëzoi postin Naser Nuredinit. Ky i fundit ka karrierë të begatshme si drejtues dhe këshilltar në disa subjekte në Londër dhe Vjenë.

Duraku ndërkaq merr detyrën si ministër për Sisteme Politike dhe Marrëdhënie mes Bashkësive, e cila muaj më parë ishte Sekretariat për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Në krye të Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale tani do të jetë Goran Milevski. Vjen në vend të  zëvendëson Suhejl Fazliun, i cili nuk do të gëzojë më ndonjë post qeveritar, sepse partia e tij RDK u tërhoq nga bashkëqeverisja.

Goran Milevski para se të marrë postin e ministrit, ishte deputet, pjesë e maxhorancës, ndërsa është edhe kryetar i Partisë Liberal demokrate.

Ministër i ri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do të jetë Trajan Dimkovski, inxhinier i bujqësisë. Në 2017 u zgjodh shef i kabinetit të ministrit Lupço Nikollovski, i cili tashmë ka lënë ekzekutivin për t’u bërë sekretar i gjeneral i LSDM-së.

Përgatiti: Besir Arifi