KUSH IA BËN KABINETIN PENDAROVSKIT? “VILA VODNO” NUK TREGON PËR EMRAT E MUNDSHËM

TË FUNDIT

Gati një javë që është betuar si president, por ende nuk dihet se me kë do të punojë Stevo Pendarovski. Emrat që do të jenë në kabinetin e tij ende nuk bëhen të ditur, e për këtë çështje “Vila Vodno” është bërë më e mbyllur se gjatë mandatit të Ivanovit.

As zyra për shtyp e Presidencës e as vetë Presidenti Stevo Pendarovski nuk japin detaje për emrat e mundshëm që do të jenë pjesë e stafit të ri dhe nëse do të ketë ndryshime të të punësuarve aktual që kanë punuar edhe në mandatin e Presidentit Ivanov.

“Sapo të zyrtarizohen procedurat për këshilltarët dhe bashkëpuntorët më të afërt të Presidentit Pendarovski, opinioni do të jetë i informuar në kohë për të gjitha vendimet”, thonë nga Kabineti i Presidentit.

Ajo që dihet deri më tani është se zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski nga e marta do të kalojë në vilën Vodno.

“Kaloj në kabinetin e Presidentit Stevo Pendarovski ku do të marr përgjegjësinë e sekretarit gjeneral”, u shpreh Mile Boshnjakovski.

I pyetur se kush vendosi për transferimin e tij, Boshnjakovski tha se oferta i ka ardhur nga vetë Presidenti Pendarovski, në koordinim me Kryeministrin Zoran Zaev. Emra të tjerë që mund të kalojnë nga Qeveria në Presidencë, tani për tani nuk përfliten.

Pyetëm qeverinë mos ndoshta po e ndihmon Presidentin për ta përzgjedhur kuadrin e ri. E nga atje mohuan duke thënë se Qeveria nuk ka kompetenca për këtë çështje.

Dy emra të tjerë që pritet të jenë në zyrën e Presidentit të ri janë profesori i drejtësisë Aleksandar Spsaov si dhe gazetarja Katerina Canevska-Arsovska e cila ka shërbyer në zyrën e marrëdhënieve me publikun të kryetarit të kuvendit.

Përflitet edhe për ish-gjykatësen e Strasburgut Mirjana Llazarova-Trajkovska dhe ish-ambasadorin Aleksandar Tavçinovski, megjithatë emrat e tyre mbeten të pakonfirmuar.

Është përmendur edhe emri i aktivistes Mersiha Smailoviç, megjithatë ajo na tha se askush nuk i është drejtuar me ndonjë ofertë ndërsa emrin e saj e ka dëgjuar vetëm përmes mediave.

Presidenti Stevo Pendarovski gjatë fushatës së tij pati deklaruar se kabineti i tij do të ketë përfaqësues të të gjitha bashkësive etnike që do të zgjidhen sipas kompetencave dhe profesionalizmit të tyre, e siç pati shtuar, kabinetin e tij do të pasqyrohet shoqëria multikulturore e Maqedonisë së Veriut.

Përgatiti: Besir Arifi