Incidenti i fundit në objektin ndërtimor Limak ku vdiq 34 vjeçari shtetas i Turqisë, shton dilemat nëse punëtorët e ndërtimtarisë kanë koordinator dhe menaxhues të obligimeve ditore. Nga Limak thonë se i ndjeri ka punuar kokë në vete dhe pa u koordinuar. Por kush është fajtori për këtë? Kryetari i Sindikatës për Ndërtimtari, Ivan Peshevski, në një bashkëbisedim për Tv21 thotë se kryesisht vet punëtorët janë fajtorë për shkak se nuk i paraqesin parregullsitë në vendin e punës.
“E pamëshirshme është tani të hyjmë në atë se kush është fajtor. Mua më hidhërohen shokët kur them se kush do të vdesë në vendin e punës ai vet është fajtor mirëpo këtë praktikë për fat të keq e dëshmoi Republika e Maqedonisë. Praktika është se asnjë prej atyre punëdhënësve nuk përfundoi në Prokurorinë Themelore Publike, asnjë prej punëdhënësve nuk përfundoi në burg por përfunduan dy metra nën dhe punëtorët të cilët lanë jetën e tyre në ndërtimtari”, tha Ivan Peshevski – Kryetar i Sindikatës për Ndërtimtari .
Nga ana tjetër, nga kompania sqarojnë se i ndjeri ka qenë vet menaxher – brigadier i një grupe punëtorësh prej 20 persona dhe nuk ka qenë i trajnuar për ta përdorur pajisjen me të cilën është rrëzuar. Madje edhe punën të cilën e ka kryer atë moment, nuk ka qenë e paraparë për të.
“I punësuari që fatkeqësisht humbi jetën, ishte mbikëqyrës – brigadier, detyra e të cilit ka qenë të koordinojë aktivitetet e 10-20 punëtorëve. Sipas hetimeve, punëtorët rregullisht kanë rregulluar lokacionin ku kanë punuar, e për çka sipas instruksioneve të sigurisë përdoret skele. Edhe pse sipas përshkrimit të detyrave të punës, mbikëqyrësi brigadier nuk duhet të kryejë këtë aktivitet, por duhet të koordinojë grupin, i punësuari ka filluar me aktivitet dhe në vend të skelës ka përdorur makinë për ngritje. Përdorimi i kësaj makine nuk i përket detyrave të mbikëqyrësit – brigadier dhe ai nuk ka qenë i trajnuar ta përdorë atë”, thonë nga LIMAK.
Lidhur me kontrollet për atë se si vijojnë punimet nëpër objekte ndërtimore në vendin tonë, përgjegjës është Inspektorati Shtetëror për Punë. Prej atje na dhanë informacione që vetëm gjatë vitit 2022 në Maqedoni janë kryer gjithsej 24,965 mbikëqyrje. Prej këtyre kontrolleve, janë konfirmuar 6111 parregullsi. Janë shqiptuar 550 gjoba, 84 procedura kundërvajtëse dhe 14 kallëzime penale.